Burime brenda godinës së MPJ bëjnë me dije se veprimi i katër ditëve më parë i ambasadorit tonë në Londër Mal Berisha, që nuk bëri asnjë përgatitje për vizitën e kryeministrit Rama në Britani dhe takimin e tij me homologun Cameron madje duke e lënë dhe pa eskortë, nuk është pritur mirë nga MPJ.
Pasi përbën në vetëvete sipas tyre skandal diplomatik dhe i padëgjuar në analet e diplomacisë botërore. Për shkak se kryeministri Rama dhe kur ka qënë nëpër vizita në vendet fqinje deri në SHBA, gjithnjë në krah ka pasur ambasadorin e Shqipërisë në vendet respektive.
Ndërkohë që Ambasadori ynë në Londër Mal Berisha as që ka denjuar të takojë kryeministrin Edi Rama. Në këto kushte, mësohet se largimi i Mal Berishës nga shërbimi diplomatik pritet të merret së shpejti. Incidenti i rëndë ka ndodhur tre ditë më parë teksa Kryeministri shqiptar Edi Rama nuk ka qenë i shoqëruar nga forcat e sigurisë së vendit mikpritës, Mbretërisë së Bashkuar. Fakt që ka rënë në sy të punonjësve shqiptarë të BERZH.
Sipas protokollit shoqërimi i kryeministrit nga forcat e sigurisë ose policia e vendit përkatës është një procedurë rutinë, që duhet të kërkohet nga Ambasada e Shqipërisë në vendin që viziton kryeministri.
Në këtë rast, këtë detyrë duhej ta mbulonte ambasadori Mal Berisha i cili duhej të kujdesej që më parë për këto detaje të vizitës së kryeministrit Rama në Londër, por duket se këto masa nuk janë marrë nga Ambasada e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar. Arsyeja mund të shpjegohet me vetë faktin se ambasadori Berisha, ndan me Berishën një besnikëri dhe miqësi të ngushtë.
6 AMBASADORE
Janë shkarkuar nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani me kërkesën e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati që me ardhjen e PS në pushtet. Ata kanë arritur moshën e pensionit.
18 AMBASADORE
Pritet të shkarkohet në ditët në vijim nga kreu i shtetit Nishani pas kërkesës së ministrit të Jashtëm Bushati. Ata kanë shumë vite në të njejtin vend ose janë në pension.
Shkrimi u publikua sot (23.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)