Ende nuk ka dalë "tymi i bardhë" dhe ka ende pak kohë para se futbolli italian, i plagosur, t'i japë mirëseardhjen trajnerit të ri të kombëtares. Megjithatë, tani ekziston një pikënisje e qartë, një bazë nga ku mund të rindërtohet gjithçka. Paolo Maldini, drejtori teknik i përfaqësueses italiane dhe president i Club Italia, ka propozuar Andrea Pirlon si kandidatin e tij për të ardhmen e Kombëtares.
Marrëdhëniet dhe bindja
Janë orë të mbushura me kontakte, biseda dhe reflektime. Maldini dhe Leonardo kanë qenë në kontakt telefonik me Giovanni Malagòn, presidentin e Federatës (FIGC) që prej 22 qershorit. Në tryezë ndodhet lista e ngushtë e kandidatëve që konsiderohen më të përshtatshëm për të drejtuar Italinë.
Që nga dita e djeshme ka edhe një zhvillim të rëndësishëm, Maldini nuk ka shmangur përgjegjësinë, siç nuk e ka bërë kurrë dhe i ka shpjeguar Malagòs arsyet pse mendon se 'arkitekti' i skuadrës kampione të botës njëzet vjet më parë në Berlin, Andrea Pirlo, është njeriu i duhur për të marrë drejtimin e kombëtares në misionin drejt Kupës së Botës 2030.
Pirlo është konsideruar gjithmonë nga miku dhe ish-shoku i tij i skuadrës te Milani, Paolo Maldini, si një vizionar me këmbë në tokë. Guximi, iniciativa dhe njohja e thellë e futbollit kanë bërë që Maldini ta shohë prej kohësh si një trajner të suksesshëm të së ardhmes.
A do të rezultojë kështu?
Andrea e nisi karrierën e trajnerit duke marrë përsipër detyrën e vështirë për të vazhduar serinë e titujve kampion të Juventusit. Nuk arriti ta fitonte kampionatin, por nuk mund të konsiderohet se dështoi, sidomos duke pasur parasysh se nuk kishte pothuajse fare përvojë si trajner.
Sot kalimi nga United FC i Dubait drejt pankinës së kombëtares italiane do të ishte 'traumatik', në njëfarë mënyre, edhe më befasues. Megjithatë, sipas atyre që kanë marrë përsipër të rindërtojnë futbollin italian nga themelet, ky është një hap i nevojshëm.
Maldini e dëshiron Pirlon. Malagò e ka marrë në konsideratë këtë propozim dhe tani do të luajë rolin e tij. Në agjendë, ndoshta që këtë pasdite ose nesër, është planifikuar një takim mes presidentit të FIGC-së dhe Andrea Pirlos për t'u njohur më mirë dhe për të kuptuar nëse ekziston përputhja e duhur.
Kontrata dhe paga janë problemet më të vogla. Pjesa më e rëndësishme ka të bëjë me mirëkuptimin dhe projektin.
Pirlo flet të njëjtën "gjuhë" futbolli si Maldini dhe Leonardo, ky i fundit këshilltar i kombëtares. Është një mënyrë të menduari që është ndërtuar ndër vite dhe që sheh të ardhmen e afërt si një revolucion të qetë, por të pandalshëm.
Në futbollin italian ka shumë për të bërë, disa gjëra duhet të përditësohen, të tjera duhen ndryshuar rrënjësisht.
Pikërisht në këtë kuadër vjen zgjedhja e Maldinit. Besimi te Pirlo do të thotë besim te një trajner që mund të përballojë nevojat e menjëhershme, në shtator nis edicioni i ri i Nations League, pa humbur nga sytë projektin afatgjatë.
Një bast i madh
Maldini e ka bërë zgjedhjen e tij; tani topi është në fushën e Malagòs. Presidenti i federatës ka vendosur të ndjekë një procedurë të re për emërimin e trajnerit të kombëtares. Nëse më parë vendimi merrej pothuajse ekskluzivisht nga presidenti i FIGC-së, tani emërimi duhet të jetë rezultat i një vendimmarrjeje të përbashkët, ku rol qendror ka drejtori teknik dhe drejtuesi i Club Italia.
Me fjalë të tjera, Malagò, Maldini dhe Leonardo duhet të luajnë në të njëjtën skuadër dhe pa përplasje mes tyre.
Megjithatë, shumë njerëz betohen se emri i preferuar i Malagòs ka qenë gjithmonë Roberto Mancini. Marrëdhënia mes tyre është shumë e fortë, ashtu si edhe respekti reciprok.
Mancini është ende pjesë e listës së ngushtë, ashtu si Antonio Conte, ndërsa më parë në listë ishte edhe Pep Guardiola.
Pra, Pirlo kundër Mancinit? Jo. Nuk mund të jetë një garë personale në një moment kur bashkëpunimi është thelbësor për ta ngritur përsëri futbollin italian.
Në fakt, Malagò nuk kishte objektiv tjetër përveçse ta bindte Maldinin të pranonte postin e drejtorit teknik. Ai ia doli, duke marrë edhe miratimin për përfshirjen e Leonardos si këshilltar.
Jo vetëm kaq. Ideja për të krijuar një zyrë të përhershme të Club Italia në selinë e Lega Serie A në Milano përputhet plotësisht me nevojat e Maldinit, i cili, si milanez, do të jetë shpesh i pranishëm aty.
Emri i Pirlos doli si kandidati kryesor nga bisedimet e djeshme. Ishte tashmë në garë, por tani edhe më shumë.
Malagò nuk e konsideron ende të mbyllur çështjen e trajnerit të ardhshëm të kombëtares. Pikërisht për këtë arsye ai do të takohet shumë shpejt me kampionin e botës të vitit 2006.
Vendimi përfundimtar pritet në fillim të javës së ardhshme, në kohë që presidenti i FIGC-së të paraqitet në Asamblenë e klubeve të Serie A me një organigramë më të plotë, ku mund të ketë vend edhe për Gigi Buffon.
Maldini ia ka dorëzuar topin presidentit të federatës. Malagò e ka marrë dhe po reflekton.
Për shumëkënd, emërimi i Pirlos do të ishte një bast. Por jo për ata që e kanë njohur nga afër, shumë nga afër. Edhe pak orë dhe do të mësohet përgjigjja. Koha po mbaron dhe Italia ka nevojë për një udhëheqës të sigurt për të rimarrë vendin që i takon në futbollin botëror. Nuk do të jetë një mision i lehtë.
Komente







