Kalaja e Gjirokastrës, një nga hapësirat më simbolike të qytetit të gurtë, është zgjedhur si vendi ku në Ditën Botërore të Muzeve u çel ekspozita e piktorit Bashkim Ahmeti. Për publikun, artisti prezanton 25 punime të realizuara gjatë dhjetë viteve të fundit.
“Ka qenë një kohë e gjatë që nuk kam qenë në Gjirokastër me ekspozitë… Tema ‘Male, re dhe plisa të bardhë’ e përmbledh këtë koleksion. Shpresoj që ekspozita të shihet dhe të pëlqehet nga publiku. Është kënaqësi e madhe të jem këtu mes miqsh dhe kolegësh.”, tha piktori Bashkim Ahmeti.
Veprat mbartin një identitet të qartë shqiptar dhe dëshmojnë një artist të konsoliduar, të pandryshuar nga vitet në mërgim.
“Mënyra se si është instaluar, është vendosur e gjithë ekspozita është si të shikosh një koncert ose një kohë të tërë. Pra, këto janë një lloj polifonie, një polifoni turistike e Bashkim Ahmetit me personazhe të ndryshme, me kujtesë nga vendlindja, me përalla, me episode, me legjenda, me raportin që ai ka me natyrën, me malin, pra marrin një lloj kujtese metafizike.”, tha kuratori Artan Shabani.
Ekspozita “Male, re dhe plisa të bardhë” do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri më 10 gusht.
Komente











