Disa qindra qytetarë të pakënaqur nga paralajmërimi i koalicionit “E zeza mbi të bardhën” për formimin e qeverisë së pakicës, protestuan të premten mbrëma në disa qytete malazeze. Protestat u zhvilluan në Podgoricë, Nikshiç dhe Berane ku morën pjesë ithtarët e kryeministrit malazez Zdravko Krivokapiç dhe të partive proserbe në Mal të Zi.
“Të gjitha forcat e shëndosha që nuk heshtin dhe po protestojnë kundër kësaj tradhtie duhet bashkë me qytetarët të rebelohen kundër kësaj. Kjo është një çështje më serioze. Kjo tradhti kërcënon të destabilizojë Malin e Zi”, ka theksuar lideri i partisë proserbe Marko Milaçiç.
Në protestën para Televizionit Publik të Malit të Zi u dëgjuan thirrje kundër Zv/Kryeministrit Dritan Abazoviq, i cili ishte i ftuar në një emision të këtij televizioni dhe për disa momente u takua me protestuesit. Protestuesit e quajtën zotin Abazoviç “tradhtar” dhe “të shitur” duke theksuar se "propozimi i URA-së të Dritan Abazoviçit për formimin e qeverisë së pakicës është një përmbysje e drejtpërdrejtë e vullnetit elektoral”.
Të hënën në Podgoricë Lëvizja Qytetare “URA” së bashku me Lidhjen Qytetare “Civis” propozuan modelin e një qeverisjeje të pakicës. Sipas kreut të Lëvizjes Qytetare URA, i cili është njëkohësisht edhe Zv/Kryeministër në këtë qeveri Dritan Abazoviq, nuk do të kishte vend për Frontin Demokratik që cilësohet parti proserbe dhe proruse por as për Partinë Demokratike të Socialistëve të presidentit aktual Milo Gjukanoviç, e cila ishte më shumë se 3 dekada në pushtet në Malin e Zi.
"Koncepti ynë është i qartë - ne duam një qeveri të pakicës, të gjithë mund ta mbështesin atë, por nuk jam i sigurt nëse do të hyjnë", theksoi zoti Abazoviç.
Forcat politike të pakicave e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishme mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për konceptin e qeverisë së pakicës. Ata kanë thënë se kjo mbështetje do të jetë e nevojshme në të ardhmen për zbatimin e reformave dhe përparimin drejt anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian. / VOA