Nebojsha Medojeviç, drejtuesi i “Lëvizjes Malazeze për Ndryshim” ka premtuar se kur të vijë në pushtet do të ndërtojë një muri mes Malit të Zi, Kosovës dhe Shqipërisë, për të bërë kështu të mundur ndalimin e bandave të drogës që operojnë fuqishëm në rajon.

Menjëherë pas deklarate shokuese ka reaguar edhe faktori politik shqiptarë në Malin e Zi.

“Drejtuesi i Lëvizjes Malazeze për Ndryshim, Nebojsha Medojeviç, poshtëron shumicën e partive shqiptare që dikur mbështetnin politikat e tij” -  kanë deklaruar për mediat në Malin e Zi  përfaqësuesit e partive të pakicave shqiptare.

Politikani shqiptar Nikollë Gegaj tha se “pikëpamjet e Medojeviçit përfaqësojnë mënyrën e politikanëve ekstremë që nxisin urrejtjen fetare dhe intolerancën ndër-shtetërore”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Fatmir Gjeka, njëherësh ish-kryetari i Komunës së Ulqinit, tha se”Kjo është shokuese dhe e pabesueshme. Në kohën e kufijve të hapur, të thuash diçka të tillë në të nxehtin e një lufte politike është e papranueshme”

Pas reagimit të forte të partive shqiptare, Nebojsha Medojeviç më vonë shpjegoi se, “muri me Kosovën dhe Shqipërinë nuk do të ngrihet as për shkak të popullit shqiptar ose malazez, por ekskluzivisht kundër mafies malazeze dhe shqiptare”.