Sipas Qendrës për Monitorim dhe kërkim CEMI, Lëvizja Evropa Tani fitoi 25.5% të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u zhvilluan të dielën (11.06. në Mal të Zi. Kjo lëvizje jo parlamentare, e cila u formua 10 muaj më parë, siguroi 23 mandate në parlament. Ndërkohë Partia Demokratike e Socialistëve doli e dyta me 23.8% ose 21 mandate. Koalicioni Për të ardhmen e Malit të Zi – koalicion pro serb dhe pro rus, fitoi 14.7% apo 13 mandate. Sipas Qendrës për Monitorim dhe kërkim (CEMI) koalicioni i përbërë nga Demokratët dhe Lëvizja Ura e Kryeministrit aktual Dritan Abazoviç, doli i katërti në këto zgjedhje me 12.3% të votave apo 11 mandate. Rezultate më të mira në zgjedhjet e parakohshme parlamentare arriti Partia Boshnjake e cila siguroi 6 mandate. Dy koalicionet e partive shqiptare Aleanca dhe Forumi shqiptar siguruan 3 mandate në parlamentin e ardhëshëm të Malit të Zi. Në parlamentin, i cili do të numërojë 81 deputetë, do të jetë e përfaqësuar edhe pakica kroate me 1 mandat.
Zgjedhjet si shpëtim nga kriza
Zgjedhjet e parakohshme u cilësuan si jashtëzakonisht të rëndësishme duke i dhënë fund krizës politike gati tre vjeçare, ku dy parti u rrëzuan përmes mocioneve të mosbesimit. Analistët, të cilët bazohen në rezultatin paraprak të zgjedhjeve, janë të mendimit, se edhe me këtë rezultat të zgjedhjeve Mali i Zi hyn në një periudhë jo stabile politike. Sipas tyre një koalicion i qëndrueshëm pas zgjedhor do të ishte ai i Evropa Tani me partinë Demokratike të Socialistëve të ish-presidentit Milo Gjukanoviç. Por nga Lëvizja Evropa Tani të dielën në mbrëmje pas shpalljes së rezultateve u tha, se në asnjë variant nuk do e formojnë qeverinë e re me këtë parti. Për këtë arsye Evropa Tani do të duhet të bisedojë me disa koalicione dhe parti për formimin e qeverisë së ardhshme.
Varianti tjetër i mundshëm është formimi i shumicës midis Lëvizjes Evropa tani dhe koalicionit të Demokratëve dhe partisë Ura dhe partive të pakicave, por edhe në këtë variant ka mosmarrëveshje duke marrë parasysh akuzat e ndërsjella dhe aferat një javë para zgjedhjeve midis partisë së Kryeministrit aktual Dritan Abazoviç dhe Liderit të Lëvizjes Evropa Tani, Milojko Spajiç.
Ditët në vijim në Mal të Zi priten bisedime intensive për formimin e qeverisë. Vetë presidenti Jakov Millatoviç pret që qeveria e re të formohet shpejt siç ka thënë ai “në mënyrë efikase dhe në përputhje me vullnetin elektoral të qytetarëve”. Edhe lideri i Lëvizjes Evropa Tani, Millojko Spajiç paralajmëroi formimin e shpejtë të qeverisë. Ai u shpreh se “ne presim që qeveria të formohet sa më shpejt, do të flasim me të gjithë ata që ndajnë vlerat e njëjta me ne”. “Ne do të formojmë një qeveri të re pro evropiane” tha Spajiç.
Qeverinë e re të Malit të Zi e presin shumë sfida. Programi i prezantuar nga Lëvizja Evropa Tani ka qenë shumë ambicioz me premtime për rritje pensionesh dhe rrogash, luftë kundër korrupsionit dhe integrimi i vendit në Bashkimin Evropian (BE). Zgjedhjet parlamentare kaluan të qeta dhe pa incidente. Përqindja e daljes në zgjedhje ishte 56.4 % , dukshëm më pak se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 kur votuan 76.6% e zgjedhësve. Zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit ishin të dymbëdhjetat që nga vendosja e sistemit shumë partiak në Mal të Zi dhe të gjashtat që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2006./DW