MALLAKASTËR – Kanë vazhduar edhe gjatë natës së mbrëmshme, çarjet e tokës dhe rrëshkitjet e dheut në fshatin Ngraçia të Mallakastrës, duke bërë që banorët ta braktisin plotësisht atë dhe të zhvendosen në Ballsh dhe zona të tjera.

Këshilli i Qëndër Mallakastër, në nje mbledhje jashte radhe, ka akorduar një fond prej 4 milionë lekësh për blerjen e dy banesave, ndërsa qeveria ka akorduar fonde më vete për blerjen e edhe të katër të tjerave, për kalimin e situatës emergjente në këtë komunë.

Këshilli i komunes Qendër Mallakastër, vonë në mbrëmje është mbledhur në një mbledhje jashte radhe për situatën e emergjencës së krijuar nga rrëshqitja e tokës dhe shtëpive në fshatin Ngraçie. Në këtë mbledhje, pas propozimit të ndryshimeve në buxhetin e vitit 2013, është miratuar një ndihmë prej 4 milionë lekësh.

Sipas kryetarit të komunës, Agron Kapllanaj, me këtë fond mundësohet blerja e dy banesave për familjet më në nevojë. Ndërkohë, ai ka njoftuar se në mbledhjen e sotme të qeverisë është diskutuar edhe një ndihmë për këta banorë. Sipas tij, është rënë dakort që me një fond që do të çelet, do të mundësohet blerja e tre ose katër banesave për familjet që janë me emergjencë.

Gjithashtu, është hapur dhe një numër llogarie tek një bankë, që shumëkush mund të japë kontributin e tij në ndihmë të këtyre banorëve. Njeri prej këshilltarëve, Novruz Maska, ka propozuar që në ndihmë të banorëve, lëshon një shtëpi - pronë e tij, deri sa te zgjidhet situata.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)