TIRANE- Shpërthejnë debatet mes dhëndrit të Berishës Jamarbër Malltezi e nënkryetarit të grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. Sinjalin e rifillimit të përplasjes e dha Malltezi pas shtyrjes së seancës së djeshme të gjykimit në Apel. “Pas shpifjeve ndaj qytetareve tani Taulant Balla po mashtron gjykatën. Pasi ishte ankuar kundër vendimit të shkallës së parë të gjykatës Tiranë, që e shpalli shpifës ndaj meje, Balla iu fsheh përballjes në seancën e caktuar nga Gjykata e Apelit në Tiranë e kërkoi shtyrjen e gjykimit me pretendimin se ishte në mbledhjen e Komisionit e Sigurisë.

Mësojmë se ky Komision ka 3 javë që s’mblidhet! Shpreh keqardhje që në Kuvend kemi deputetë që përveçse shpifin për qytetarët sipas qefit e interesit mashtrojnë gjykatën. Është shpërfillje e tallje me gjykatën e një bandë që s’njohin shtet, ligj e moral”, thotë Malltezi. “Është trishtuese të shohësh që përfaqësohemi nga frikacakë si Balla dhe përbetohen për respektim të ligjeve, ndërsa shpifin për qytetarët e mashtrojnë gjykatat. Shpresoj të gjejë forca të mos i përvidhet përballjes me shpifjet e tij në Gjykatën e Apelit në seancën e ardhshme”, thotë Malltezi.

Menjëherë ka reaguar Balla. “Në Apel ishte programuar zhvillimi i seancës gjyqësore me dhëndrin e babit ish-Kryeministër Berisha. Pas një vendimi qesharak në Shkallën e Parë ku dhëndri i Sali Berishës nuk u paraqit në asnjë seancë gjyqësore për të dhënë shpjegime, sot dëgjova se dhëndri qenka ankuar për një shtyrje normale e ligjore të seancës. Është kërkuar shtyrja nga avokati, për shkak të angazhimeve të shumta që kam si nënkryetar i Grupit të PS, si kreu i Delegacionit të Kuvendit në PE, si nënkryetar i Komisionit të Integrimit e si anëtar i Komisionit të Sigurisë.

Është kërkuar shtyrja sepse dhe në këtë seancë gjyqësore në apel dua të jem përsëri aty personalisht, për të rishprehur qëndrimet e mija kundër klanit familjar të Berishës që sot është rrëzuar nga pushteti në pritje të drejtësisë”, tha Balla. Sipas tij të gjithë e dinë se dhëndri i Berishës vodhi klubin e futbollit Partizani, me vendimet e vjerrit babi Saliut.

“Shqiptarët duan transparencë dhe procesi sapo ka filluar. Hetimi i pasurive të politikanëve dhe familjarëve të tyre është pjesë e këtij procesi transparence. E garantoj dhëndrin e babit ish-Kryeministër, familjen klanore në tërësi se Drejtësia do vendoset shumë shpejt. Edhe për ju! Sa për frikacak, Jamarbëri bën mirë të pyesë Sali Berishën, se ky më njeh mirë”, deklaroi Balla në reagimin kundër Malltezit.

Shkrimi u publikua sot (26.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)