BRUKSEL - Njerëzit gjithnjë e më shumë duan të shkojnë drejt vendeve të Bashkimit Evropian, ndaj rikthimi i vizave për disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor do të krijojë kontroll mbi faktin se kush po i kalon kufijtë. Është kjo deklarata e komisioneres së Bashkimit Evropian për Sigurinë, Sesilia Malmstrom, bërë publike pas takimit të ministrave të Brendshëm të BE-së.

Malmstrom tha se Bashkimi Evropian po shikon mundësinë e një amendimi të politikave të Evropës, për të bërë më të lehtë hyrjen në vendet e Bashkimit Evropian. Ajo theksoi se duhet rimenduar politika e vizave, por këtë radhë për të lehtësuar të gjithë ata që duan të vijnë në Evropë.

Ministrat u mblodhën sot në Luksemburg, teksa mbështetën qëndrimin se rikthimi i vizave për shtetasit e Ballkanit Perëndimor do të ishte me rëndësi në kontrollin e kufijve, duke marrë parasysh fluksin.

Ndërsa, më herët, në mbledhjen e 25 tetorit në Luksemburg, ministrat e Brendshëm hodhën në shqyrtim mundësinë e rikthimit të regjimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku e rrezikuar u shfaq edhe Shqipëria.

Ky diskutim u vu në vëmendje të ministrave për shkak të kërkesave të shumta të azilantëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian, shumica abuzuese. Gjermania, Luksemburgu, Franca, Belgjika, Suedia dhe Vendet e Ulëta ishin shtetet që ngritën ankesa në Komisionin Evropian, ndërsa rrezikun më të madh për rikthimin e regjimit të vizave e kanë Serbia e Maqedonia.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)