Gratë mbi 40 vjeç mund të kryejnë mamografinë në Spitalin Rajonal të Vlorës gjatë muajit tetor, në kuadër të fushatës së ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ka ndarë në rrjetet sociale mesazhin e një specialisteje të imazherisë në këtë spital, e cila u bën thirrje grave të kryejnë kontrollet e nevojshme.
“Jemi në muajin e depistimit të kancerit të gjirit, në muajin tetor. Në spitalin tonë kryhet ekzaminimi i mamografisë gjatë muajit tetor për të gjitha gratë e moshës mbi 40 vjeç”, shprehet specialistja.
Ajo shpjegon se mamografia është një ekzaminim joinvaziv, që kryhet në një kohë të shkurtër dhe ndihmon në identifikimin e hershëm të sëmundjes.
Sipas ministres Spahiu, shërbimi i mamografisë vijon të ofrohet në Spitalin Rajonal të Vlorës, ashtu si edhe në strukturat shëndetësore në të gjithë vendin.
“Kontrolli është dashuri për veten”, shkruan ministrja, duke theksuar se kujdesi për shëndetin e gjirit nuk duhet të kufizohet vetëm në Tetorin Rozë.
“Përtej Tetorit Rozë, kontrollet e rregullta mbeten çelësi i diagnostikimit të hershëm dhe trajtimit të suksesshëm”, thuhet në postimin e saj.







Komente
Komento