Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u ka bërë thirrje të gjithë kandidatëve për kryetar bashkie në zgjedhjet 30 qershorit që në planet e tyre të kenë vëmendjen tek eliminimi i barrierave fizike për personat me aftësi të kufizuara.
Gjatë konferencës së parë kombëtare “Aksesueshmëria dhe Sfidat për Gjithëpërfshirje”, Manastirliu tha se do të nisë një aksion kombëtar për aksesueshmërinë për personat me aftësi të kufizuar.
“Barrierat janë në sjellje por së pari fizike, ndaj së bashku duhet të punojnë më shumë për të siguruar lirinë e lëvizjes për personat me aftësi të kufizuar dhe për këtë arsye, do të nisë një aksion kombëtar për aksesueshmërinë. Me urdhër të Kryeministrit është ngritur një grup pune ndërsektorial, për të menaxhuar këtë aksion në nivel kombëtar. Dua të inkurajoj të gjithë kandidatët e bashkive qe në planet e tyre dhe në axhendën e tyre jo vetem elektorale, por edhe të së nesërmes të atyre që do jenë fitues të zgjedhjeve lokale të vendosin në plan të parë të punës së tyre aksesueshmërin, përfshirjen e grupeve me aftësi ndryshe. Një përpjekje e përbashkët e të gjithë institucioneve qëndrore, institucioneve lokale në zbatim të këtyre kritereve do të ishtë një vlerë e shtuar e gjithë këtij aksioni kombëtar që do të ndërmerret” – tha Manastirliu.
Në fjalën e saj Manastirliu përshëndeti vendimin për transmetimin e seancave të Kuvendit edhe në gjuhën e shenjave, një nismë e iniciuar dhe mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për rritjen e aksesit në informacion të personave me aftësi ndryshe.
“Deri tani kemi përpjekje të vazhdueshme qoftë nga Ministria e Infrastrukturës që është treguar e vëmendshme por edhe bashkitë gjithashtu për përfshirjen e elementëve të aksesueshmërisë në investimet publike, në ato të rrugëve, të parkimeve, të gjithë aksesit që lehtëson personat me aftësi të kufizuara. Por mbetet ende shumë për të bërë, ndaj do të kërkoja nga ministria përgjegjëse të mundemi të rishikojmë edhe një herë të gjitha kriteret specifike në raport me akesueshmërinë, me qëllim të rrisim aksesin në shërbime për këta persona” – tha ministrja.
Konferenca e parë kombëtare "Aksesueshmëria dhe sfidat për gjithëpërfshirje” solli në vëmendje rëndësinë e aksesit dhe përshtatshmërinë ndërtimore, transportit dhe informacionit të cilat nuk janë të arritshme për të gjithë. Pjesëmarrësit në Konferencën e organizuar nga MSHMS, me mbështetjen e UNDP dhe “Askush të mos mbetet pas” ishin pjesëmarrës nga qeveria, politikanë dhe vendimmarrës, ministritë e linjës, prefekturat, bashkitë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe organizatat e personave me aftësi të kufizuara dhe përfaqësues të shoqërisë civile.