Po sipas këtyre burimeve mësohet se vota e socialistëve do të jetë kundër kësaj rishpërndarjeje dhe për më tepër që kjo voto kundër do fillojë që me moskalimin në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve. Ku tre votat e anëtarëve të këtij institucioni më të lartë zgjedhor, përfaqësues të opozitës mësohet se do të jetë kundër kësaj rishpërndarje. Mësohet se argumenti kryesor i socialistëve që do të përdoret në kundërshtinë e tyre ndaj kësaj rishpërndarje dhe nominalisht kundër lëvizjes së një deputeti nga qarku i Beratit në drejtim të qarkut të Tiranës ose Durrësit, bëhet për shkak se numri i votuesve në këtë qark për një deputet është i njëjtë me mesataren në të gjithë vendin në mos më tepër. Ndërkohë që sillet si argument bazë fakti se përse një gjë e tillë nuk ndodh me qarkun e Kukësit ku janë vërtetë katër mandate deputetësh, por numri i votuesve është shumë më i vogël se sa në qarkun e Beratit për një mandat deputeti.
Duke evidentuar faktin se këtu ka dhe një hile të vogël sipas të cilës tashmë ndarja e mandateve nuk do të bëhet me numër votuesish por me numër popullsie, duke i marrë direkt nga regjistri i Gjendjes Civile, socialistët hedhin dyshimin se janë bërë dhe qarkullime banorësh nëpër zonat bastione të PD në veri të vendit, për të mbajtur në nivelin e tanishëm numrin e deputetëve dhe duke lëvizur mandate deputetësh që janë në qarqet bastione të PS, në Jug të vendit. "Nuk përjashtohet mundësia që qarku i Kukësit është fryrë artificialisht me numër të madh popullsie, duke futur si rëndom dhe nga Kosova dhe duke mos e lëvizur numrin katër të deputetëve në këtë qark, ku PD ka tre të tillë dhe PS vetëm një. Pasi nëse do të zvogëlohej numri në këtë qark, atëherë PD do kishte 2 dhe PS sërish një.
Ndërkohë që në Berat, diferenca ngushtohet, nëse PS nuk arrin të marrë dot mandatin e pestë. Por mendoj që ajo që dëmtohet akoma më shumë është dhe LSI e cila rrezikon të humbë një mandat në Berat, nëse bëhet një lëvizje e tillë, mandat që kalon te PD", shprehet zyrtari i lartë i PS. Për të cilin është shumë e rëndësishme që dhe LSI të bashkojë votat me PS kundër këtij qarkullimi mandatesh, ku e majta përfshirë dhe LSI dëmtohet shumë në qarkun e Beratit dhe pse jo dhe në Korçë. Ndaj nga selia rozë bëhet e ditur se PS do të kundërshtojë me të gjitha mënyrat një lëvizje të tillë, duke kërkuar në fillim dhe ndihmën e LSI dhe partive të tjera në Parlament por dhe duke shpresuar në një votim kundër të tre anëtarëve të saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që do të parandalonte kalimin në Kuvend të këtyre ndryshimeve në qarqet më të rëndësishme të vendit. Ndërkohë që nuk është hera e parë që partitë në mazhorancës, nga të dyja krahët, të mundohen të përfitojnë nga këto kalkulime elektorale.
Felaj: Berisha i bën llogaritë gabim, dhe me 7 deputetë në Berat ne i marrim 5"
Deputetja e qarkut të Beratit Ermonela Felaj është shprehur për përpjekjet e Berishës për të hequr një mandat nga qarku i Beratit. "Po raportohet në media se për Qarkun e Beratit ka ndryshuar numri i mandateve të deputetëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2013 nga 8 në 7 mandate. Ia kishte frikën Saliu mandatit të pestë të PS dhe angazhoi Ponët e Ristanët për të manipuluar numrin e popullsisë në Berat dhe ulur numrin e mandateve", deklaroi dje Felaj.
Njëherësh ajo ka nënvizuar se PS i ka votat sërish për të marrë qarkun e Beratit numrin e duhur të deputetëve që i ka vënë qëllim vetes. "Berisha i ka bërë llogaritë gabim. PS edhe me 7 deputetë do të marrë pa asnjë mëdyshje 5 mandate në këtë Qark. Në vitin 2009 PS mori 45.000 vota, PD mori 27.600 vota dhe LSI 8900 vota të cilave iu shtuan dhe 300 votat e PSV '91 shkoi në 9200 vota. Pra për të marrë mandatin e pestë PS i duheshin 500 vota ose mjaftonte që LSI të mos kishte ato 300 vota te PSV 91", nënvizoi deputetja socialiste.
Për të cilën mjafton që socialistët të jenë të gjithë bashkë dhe të punojnë fort që në radhë të parë "të rrisim votat për PS në gjithë Qarkun e Beratit e të luftojmë fort që të ulim votat e LSI si patericë e Saliut. Pasi mjafton që këtë parti hajdutësh të lëmë në kuotën e vitit 2009 me 8900 vota dhe mandati i pestë është yni".
TAKTIKAT
"Salamandara" dhe "Dushku", dy nga devijimet elektorale
Nuk është hera e parë që partitë politike, kryesisht ato që janë në mazhorancë përdorin elementë të ndryshëm që maksimalizojnë rezultatin, duke përdorur bosh¬llëqet në Kodin Zgjedhor. Kështu kohë më parë është luajtur me ndarjen territoriale, në atë që shumëkush e ka quajtur varianti "Salamandra", sipas të cilit zona të caktuara të një mbështetjeje të caktuar, bashkoheshin me zona tjera, duke përmbysur rezultatin.
Ndërkohë që varianti tjetër ka qënë ai i "Dushkut" ku partitë e vogla, dilnin në proporcional parti të para, duke marrë numrin më të madh të deputetëve. Një zonë kishte 8 deputetë, pavarësisht se mazhoritar nxirrte një deputet. Kështu më 2005 PR kishte 21 deputetë, PSD 7 deputetë.
Shkrimi u botua sot në gazetën SHQIPTARJA.com
(eç/shqiptarja.com)