“Aktualisht drejtimi i mbledhjes së AMA-s me një kryetar në detyrë dhe të palegjitimuar dhe 3 anëtarë prej vitesh vakant, thellon më tej ngërçin dhe pamundësinë e marrjes së vendimeve në mënyrë të drejtpërdrejtë, profesionale dhe të paanshme, dhe në emër të mazhorancës unë i kërkoj këtij komisioni të hapim procedurat për 4 vendet vakante dhe për zëvendësimin e Kryetares. Në 13 raste AMA është mbledhur në vitin e kaluar në paligjshmëri, në shkelje të plotë të ligjit, duke pasur anëtarë që nuk kanë mandat. Të 13 këto mbledhje duhen rishikuar se çfarë vendimesh janë”, tha Peza.
Por pas kërkesës së bërë nga Peza, reagoi edhe kreu i Komisionit të Medias, Genc Pollo i cili theksoi se në rendin e ditës ishte shqyrtimi i raportit njëvjeçar të Autoritetit të Mediave Audiovizuale. Sipas tij, çështjen e shkresës së firmosur nga kryetari i Kuvendit për fillimin e zëvendësimeve të katër vendeve vakante në AMA, do ta ngrejë si problem edhe në Konferencën e Kryetarëve.
“Mendoj se është jo vetëm e pasjellshme, që është pjesa e parë, por dhe e pandershme të kritikohet rregullatori kur shkaktar jeni vetë ju, zoti Peza dhe mazhoranca që ju vetë përfaqësoni; lidhur me memon e paraqitur, besoj që është një nga palaçollëqet më të rënda që ka ndodhur në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë këto 20 vjet, dhe nuk e di nëse është iniciativë e Ilir Metës apo porosi e Edi Ramës, dhe nëse ai ka bërë presion vetë apo me të tjerë. Është një nga gjërat më të rënda dhe të turpshme dhe kjo memo është absolutisht e pavlefshme dhe unë do ta ndjek me kryetarin e Kuvendit në konferencë të kryetarëve këtë çështje”, tha Pollo.
Këto akuza dhe kundërakuza të dy deputetëve, nuk kaluan edhe pa komentin e Endira Bushatit. Ajo ndërhyri në mbledhje pa marrë të drejtën e fjalës nga kryetari, gjë e cila u shoqërua edhe nga një batutë nga deputeti Fatmir Toçi, i cili theksoi: “Nuk e di se kush po e drejton mbledhjen, ju zoti kryetar apo drejtuesja e AMA-s”. Bushati në fjalën e saj theksoi se iniciativa për të bërë plotësimin e vendeve vakante në AMA është ndërmarrë në mënyrë të qëllimshme. Sipas saj, edhe mosplotësimi i tri vendeve vakante u bë me qëllim që të paralizonte punën e institucionit që ajo drejton.
“Vazhdimisht nën sulm, institucioni u paralizua, nuk u miratua struktura. E dërguam me shkresë zyrtarisht edhe për legjislaturën e re, por s'pati asnjë përgjigje. Kërkuam ndaj legjislaturës së re plotësimin e 3 vakancave, por nuk pati asnjë përgjigje dhe që nga shtatori vihet rrotull e rrotull me amendime, me vendime, me memo të ndryshme, të dala nga e njëjta dorë të cilat thonë, ‘Jo zotëri, ne nuk plotësojmë vendet vakante se ne duam të heqim këtë zonjën, e cila më 2 korrik filloi të procedonte për licensimin e operatorëve në treg”, tha Endira Bushati.
Shkrimi u publikua sot (18.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)