E ftuar dje gjatë emisionit “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, deputetja e LSI Silva Caka tha se LSI ka një kontratë me qytetarët dhe si e tillë prova e madhe e saj është që në zgjedhje të dalë e vetme.
Por Caka sqaroi se ky është një mendim i saj personal dhe nuk ka asnjë vendim të forcës që ajo përfaqëson. “Ky është mendimi im personal që për mua do të jetë votë publike në forumet e LSI, por a do të fitojë mendimi im apo jo, këtë do ta kenë në dorë forumet e partisë”. Silva Caka është e para deputete e kësaj force politike që shprehet hapur për pozicionin që duhet të ketë LSI në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Në fakt ka shumë hamendësi kohët e fundit se me cilën parti do të bëjë koalicion LSI në zgjedhjet parlamentare. Nuk janë të paktë ata që thonë se LSI do vazhdojë koalicionin me PS por edhe ata që mendojnë se LSI do të bëjë koalicion me PD. Megjithatë ende nuk ka një vendim zyrtar të kësaj force politike.
Por të njëjtin mendim personal duket se ndan dhe ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.
“Partite te dalin vetem ne zgjedhje te masin veten dhe pastaj te bejne koalicione. Zgjedhjet i fituam PS-LSI, jo me Shpetim Idrizin. Ai është deputet i Partisë Demokratike”, deklaroi Manjani në emisionin ‘Top Story’ në TCH.
Njëherësh ai deklaron se dalja veç e veç në zgjedhje, është me demokratike se sa kjo që është tani.
(d.b/Shqiptarja.com)