Parlamenti ka diskutuar mbrëmë pas mesnate projektligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave. Në një seancë maratonë, shpesh dhe me tensione mes mazhorancës dhe opozitës, janë diskutuar të gjitha projektligjet e parashikuara në rendin e ditës.

Sa i përket pronarëve, maxhoranca ka kërkuar mbështetjen e draftit duke e konsideruar atë si një zgjidhje përfundimtare të çështjes së pronave në Shqipëri. Për deputetët e maxhorancës me metodologjinë e re, pronarëve u jepet e drejta e tyre si dhe u njihet nga shteti vitet që u është marrë në përdorim prona. Në këtë mënyrë çmimi i sipërfaqes së tokës së shpronësuar gjatë regjimit komunist do të jetë sipas metodologjisë së vitit 2013.

Por ndryshimi është se zëri kadastral do të jetë ai i vitit kur është shpronësuar. Pra nëse në momentin e shpronësimit toka ka qenë bujqësore, pavarësisht se sot është truall, çmimi do të jetë për tokë bujqësore. Ndërkohë pronarëve do tu jepen dhe një shtesë e mbështetur në interesat bankarë. Ligji i ri parashikon gjithashtu dhe një rivlerësim të vlerës financiare për të gjithë vendimet e mëparshme, qofshin këto dosje të fituara me vendim të gjykatave. Sipas Ministrit Manjani, ligji i vjetër parashikon vetëm një listë dëshirash dhe nuk i jep zgjidhje.

Nga ana e saj opozita e ka cilësuar draftin të pandershëm ndërsa ka kërkuar rikthimin dhe konsultimin me grupet e interesit. Për Oerd Bylykbashin është e padrejtë që pronarëve tu hiqet e drejta e kthimit fizik të tokës atyre ku është e lirë. Po ashtu opozitarët kanë nënvizuar se dhe metodologjia e vlerësimit të çmimit të tokës është e padrejtë, pasi në situatën aktuale nuk mund të kthehemi 50 vite pas. Megjithatë, debatet e gjata në parlament janë kthyer dhe në një luftë nervash mes palëve.

Ish-kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli pak pas mesnate kërkoi shtyrjen e diskutimeve duke shtuar se maxhoranca nuk I ka votat për të kaluar të gjitha projektligjet. Propozim që nuk është marrë parasysh nga deputetët e maxhorancës të cilët kanë vijuar me diskutimin e të gjitha projektligjeve.

Po dje është diskutuar dhe projektligji për lojërat e fatit ku parashikohet kufizimi I pikave të basteve dhe mos lejimi I tyre në një distancë më të afërt se 200 metër nga institucionet arsimore, të fesë dhe pranë bankave. Në draft janë parashikuar dhe rregullat e reja për marrjen e licensave për lojërat e fatit.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)