Manjani ministër: Kontributi i
opozitës i nevojshëm për drejtësinë

Manjani ministër: Kontributi i<br />opozitës i nevojshëm për drejtësinë
TIRANE - Në një intervistë për Shqiptarja.com menjëherë pas propozimit për ministër të Drejtësisë, Ylli Manjani tha së është i ndërgjegjshëm për sfidën që i është vënë para, kur vendi ynë tashmë ka ndërmarrë hapat për realizimin e reformës në drejtësi, kyçe për integrimin në BE. Nënkryetari i LSI-së thotë se në këtë proces nuk mund të ecet pa kontributin e të gjithë aktorëve e veçanërisht të opozitës.
 
Intervista e plotë me Ylli Manjanin
 
Komentet tuaja të para si ndiheni me marrjen e kësaj detyre?
Sigurisht që për këdo që merret me politikë, është një vlerësim, unë i jam mirënjohës LSI-së dhe kryeministrit të vendit i cili pati menjëherë gatishmërinë për tu shprehur pozitivisht për kandidaturën time. I jam mirënjohës si nënkryetar i LSI-së zotit Nasip Naço i cili ka kryer një punë të jashtëzakonshme në krye të Ministrisë së Drejtësisë deri më sot. Në gjithë këtë këndvështrim ndihem i nderuar dhe i vlerësuar për këtë sfidë të re që më vihet përpara.
 
Jeni i vetëdijshëm që do të bëheni ministër i Drejtësisë në një moment shumë kritik duke pasur parasysh që pritet të miratohet një reformë e rëndësishëm si ajo e drejtësisë çka konsiderohet edhe kyçe për integrimin e Shqipërisë në BE, si ndiheni përballë kësaj sfide kaq të madhe?
Jam plotësisht i vetëdijshëm për këtë dhe pavarësisht se nuk kam qenë fizikisht në Ministrinë e Drejtësisë, unë për shkak të profesionit por edhe për shkak të kontributit që jam munduar të jap në gjithë këto vite jam ndjerë shumë pranë Ministrisë së Drejtësisë, shumë pranë reformës në drejtësi. Ju e dini që pak ditë më parë partia më mandatoi që të merrem me këtë çështje.  Kjo është reforma më e rëndësishme sot e shtet-funksionimit tonë të përbashkët pas asaj të reformës territoriale. Është një moment i rëndësishëm ndaj dhe ndihem i vlerësuar për sfidën që më vihet përpara dhe patjetër që në këtë sfidë nuk do të arrijmë dot asgjë të veçuar, por përkundrazi duhet të jemi të gjithë bashkë në arritjen e një gjëje që është e përbashkët, nuk është as për Ministrinë e Drejtësisë as për mazhorancën e sotme por është për Shqipërinë.
 
Ju zoti Manjani si e morët lajmin dhe a keni pasur takim sot me zotin Naco?
Të jem i sinqertë unë pasdite isha në punë, goxha i ngarkuar me disa çështje me detyrën që ushtroj sot. Nuk kam folur ende tetë a tetë me zotin Naco, por sigurisht që do të flas me zotin Naço se kemi shumë për të biseduar, për të analizuar së bashku dhe thash asgjë nuk arrihet vetëm në këtë lloj sfidash.
 
Mendoni se ka ndonjë lidhje dorëheqja e zotit Naco me progres-raportin që pritet të publikohet nga Komisionit Europian dhe sipas burimeve nga Brukseli priten kritika të forta sa i përket drejtësisë?
Nuk jam në gjendje ta konfirmoj këtë që ju thatë. Di të them që zoti Naço ka kontribuar me të gjithë kapacitetin e tij në drejtimin e Ministrisë së Drejtësisë, ka dhënë të gjithë kontributin e nevojshëm në mbështetje të reformën në drejtësi  e cila sot drejtohet në komisionin e posaçëm parlamentar dhe për gjithë këtë ai ka vlerësim tim, ka vlerësimin tonë si LSI dhe jam i lumtur që këtë vlerësim e ndau edhe kryeministri Rama.
 
Jeni i mendimit që nevojitet konsensus bashkë me opozitën për të arritur reformën në drejtësi?
Flasim për reformimin e shtetit dhe jo të pushtetit dhe si të tillë kemi nevojë absolutisht për diskutime, debate dhe vendime konsuensual e për këtë çështje. Flasim për shtetin që do të funksionojë në jetë të jetëve nuk po flasim për pushtetin që ndryshohet sipas vullnetit të zgjedhësve. Kur them shtetin kam parasysh gjykatat më së pari por në përgjithësi e gjithë klima dhe institucionet që japin drejtësi në këtë vend. E ka të nevojshme kontributin e opozitës politike dhe pjesëmarrjen e çdo njeriu, faktori, juristi dhe jo vetëm për të dhënë kontributin e vet dhe ne për këtë proces kemi qenë gjithmonë dhe do të mbetemi.
 
Sipas burimeve, pasi ka paraqitur dorëheqjen ministri Naco i ka shprehur rezerva kryeministrit Rama lidhur me një lloj anashkalimi të institucionit që drejtonte nga reforma në drejtësi? Do të kërkoni një marrëdhënie të re me qeverinë në këtë reformë?
Nuk do të interpretoj biseda të të tjerëve. Vlerësoj shumë rolin politik dhe drejtues të zotit Naco. Le të merremi me gjëra pozitive, me gjërave të mira, sepse historitë e tjera janë histori spekulimesh.
 
Të fokusohemi tek e ardhmja, progresi dhe tek mënyra si do të administrojmë jo thjesht reformën në drejtësi, por në tërësi të gjithë procesin e reformimit të shtetit sepse kemi të bëjmë me fenomene që shqetësojnë sot gjerësisht opinionin publik ku më së pari është lufta ndaj korrupsionit. Ne duhet të ndërtojmë skema dhe struktura të tjera që të ndihmojmë njerëzit që të marrin shërbimet publike ashtu siç duhet, kjo është sfidë shumë më e rëndësishme.
 
Roli i ministrit të Drejtësisë është i përcaktuar me ligjet e shtetit janë gjëra të vendosura qartë nuk na ka vënë ne askush që ti interpretojmë përkundrazi jemi për ti zbatuar
 
A keni informacione se do të ketë ndryshime të tjera të ministrave?
Unë sapo jam propozuar për ministër dhe po pres procedurën kushtetuese që t'ju flas si ministër. Në këtë moment unë jam ende zëvendësministër në detyrë, nuk bëj dot spekulime si do të jetë qeveria e ardhshme. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Djegin karriget dhe sende drejt Spiropalit, si e vlerësoni aksionin e PD?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Leverkusen bën për ‘Aspirina’ Milanin, Dortmund ‘tërmet 7 ballësh’! Barcelona me pesë yje, shkëlqejnë Inter, City dhe Arsenal

Champions League/ Leverkusen bën për ‘Aspirina’ Milanin, Dortmund ‘tërmet 7 ballësh’! Barcelona me pesë yje, shkëlqejnë Inter, City dhe Arsenal