Manjani takon numrin dy të ZRPP në
Turqi:Bashkëpunim në disa projekte

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka pritur sot në takim një delegacion të kryesuar nga  Huseyin Kesіmoglu, Zv/Drejtor i Përgjithshëm i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Turqisë, në kuadër të një vizite zyrtare që ky delegacion po zhvillon në vendin tonë.

Gjatë takimit u vlerësua ecuria e deritanishme e bashkëpunimit mes dy institucioneve, ndërsa u diskutua edhe mbi realizimin e projekteve konkrete për të cilat vendi ynë paraqet një interes të veçantë.

Manjani i falenderoi anëtarët e delegacionit për vëmendjen që kanë treguar lidhur me ofrimin e asistencës turke përkundrejt sfidave që paraqet ky shërbim në Shqipëri, ndërsa bëri me dije se vendi ynë ka disa projekte me rëndësi kombëtare dhe se po përpiqemi që ta përshpejtojmë realizimin e tyre.

Manjani vuri në dukje se ndër vite janë shfaqur disa vështirësi për shkak të tranzicionit të gjatë.

Manjani i garantoi të pranishmit në këtë takim se në Zyrat Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do të gjejnë një partneritet shumë të mirë, ndërsa u shpreh mjaft pozitiv për ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe.

Nga ana e tij Kesіmoglu ka garantuar gjithë mbështetjen e nevojshme ndërsa u shpreh se mes sfidave aktuale të Shqipërisë gjen edhe mjaft ngjashmëri me vështirësitë që Turqia ka hasur në të kaluarën.

Gjatë takimit është rënë dakort edhe mbi nisjen e një bashkëpunimi paraprak i cili do të mundësonte ngritjen e kapaciteteve me burime njerëzore të kualifikuara dhe të trajnuara në drejtimin e duhur për implementimin e mëtejshëm të projekteve të asistencës turke.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Mandati i Xhaçkës, më 27 gusht mblidhet jashtë sesionit Këshilli për Legjislacionin