Është arrestuar mbrëmë në Kumanovë Toni Trajkovski personi i cili gjatë trazirave në parlamentin maqedonas tërhoqi zvarrë deputetin shqiptar Ziadin Sela.

Arrestimi i tij është bërë nga inspektorë civil shqiptarë, ndërsa prangat i janë vënë në hyrje të një restoranti në këtë qytet.

Raportohet se punonjësit shqiptarë në Sektorin e Punëve të Brendshme në Kumanovë prej dy ditësh kishin identifikuar Trajkovskin si njërin nga katër personat që kanë rrahur rëndë deputetin Ziadin Sela.

Toni Trajkovski është i njohur si mbështetës i flaktë i VMRO-DPMNE-së.

 Një javë më parë mbështetës të VMRO-së së Gruevskit mësynë në parlamentin maqedonas duke ushtruar dhunë të paprecedentë mbi deputetë dhe gazetarë.

Akti i paprecedentë erdhi menjëherë pasi në krye të Kuvendit u zgjodh Talat Xhaferi.