Liderët e katër partive kryesore në Maqedoni, VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH miratuan të enjten një Deklaratë të Përbashkët.
Agjencia maqedonase e lajmeve "INA" bëri të ditur se në deklaratën e shkurtër të shpërndarë për mediat thuhet se, "në një javë të vështirë për shtetin u takuam për t'i dhënë përkrahje të përbashkët vlerave demokratike, përfshirë të drejtën e protestës dhe dënimin e dhunës, pavarësisht a është për qëllime kriminale apo politike".
"Ne gjithashtu u pajtuam të vazhdojmë me dialogun për hir të avancimit të agjendës euroatlantike për të mirën e të gjithë qytetarëve", përfundon deklarata e përbashkët e liderve të katër forcave kryesore në vend.
Në këtë takim morën pjesë kryetari i VMRO-DPMNE, Nikola Gruevski, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
INA bën gjithashtu të ditur se lideri i BDI-së, Ali Ahmeti dhe ai i PDSH-së, Menduh Thaçi kanë biseduar ndaras gjatë takimit të liderëve të partive në Maqedoni.
Ata kanë qëndruar bashkë dhe kanë biseduar në tarracën e restorantit të Klubit të Deputetëve në Shkup, ku po zhvillohet takimi i liderëve të katër partive kryesore VMRO-DPMNE, LSDM, BDI dhe PDSH.
Ahmeti dhe Thaçi po qëndrojnë bashkërisht, ndërsa dy partitë maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM me ekipet e tyre partiake ndaras kanë biseduar axhendat dhe kërkesat e tyre lidhur me negociatat që po zhvillohen me ndërmjetësimin e ambasadorëve Baily dhe Orav. Në klubin e deputetëve po qëndrojnë edhe deputetë të dy partive shqiptare.
Ambasadori amerikan Baily nuk ka lëvizur nga tryeza e bisedimeve.
Zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov i ka thënë gazetarëve se nuk ka lëvizje të qëndrimeve mes palëve. /atsh/