SHKUP - Ekspertët e ekonomisë kanë ndezur alarmin se shteti po zhytet në borxhe të thella sa i përket pagesave të pashlyera ndaj kompanive të vendit.

Ish-guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Petar Goshev thotë se është afati i fundit, që qeveria të përfillë sugjerimet e FMN-së, për të shpenzuar mjetet publike me transparencën më të madhe, si dhe të ndërpritet praktika aktuale, që paratë e arkës së shtetit të destinohen në investimet jokapitale.

“Prej një kohe të gjatë dihet mirë se çfarë ndodh me borxhin publik; ky problem thjesht nuk mund të fshihet më nën ‘rrogoz’. Për këtë problem ka reaguar edhe FMN-ja, duke përdorë një fjalor profesional, madje edhe alarmi për uljen e nivelit të kreditimit të vendit ishte një sinjal shumë i qartë se gjërat nuk shkojnë në drejtimin e duhur sa i përket stabilitetit ekonomik e jo më zhvillimit të ekonomisë”, thekson Goshev.

Ai këtë e tha duke e komentuar deklaratën e guvernatorit aktual të BPM, Dimitar Bogov, se Maqedonia duhet ta ndryshojë politikën fiskale për zvogëlimin e deficitit buxhetor. Ndaj kërkesës së BPM ka reaguar edhe partia më e madhe maqedonase në opozitë LSDM, e cila ka kërkuar ribalanc të buxhetit shtetëror.

“Nevojitet të bëhet ribalanc i buxhetit, ngaqë zhytja në borxhe të reja dhe harxhimi i mjeteve nga arka e shtetit për qëllime joproduktive nga ana e qeverisë, si edhe rritja e deficitit buxhetor të Maqedonisë, është duke futur vendin në një zonë të rrezikshme, që është e paqëndrueshme. Hapi i parë për zvogëlimin e deficitit buxhetor është ribalancimi i buxhetit”, është shprehur Vanco Uzunov, nënkryetar i LSDM.

Por me këtë nuk pajtohet ministri i Financave të Maqedonisë, Zoran Stavrev duke theksuar se likuiditeti i buxhetit është në nivel të lartë dhe pa kurrfarë problemi shlyhen të gjitha detyrimet, që ka shteti ndaj firmave dhe të gjithë atyre, që shfrytëzojnë mjete nga arka shtetërore.

Ndërkohë, ekspertët e ekonomisë thonë se kërkesa e opozitës për ribalanc të buxhetit është me vend, por nuk paraqet ndonjë masë, që do të ndryshonte gjendjen e rëndë faktike në planin ekonomik.

“Ajo që duhet për momentin është fakti që Qeveria të mendojë më me seriozitet se kjo politikë që bën kjo qeverisje për shtatë vjet me radhë prodhon vetëm krizë, pra nuk është se ka ndonjë vlerë shtesë. Edhe Banka Botërore thotë atë që ne theksojmë me vite, se këto shpenzime joproduktive, që bën shteti me prishjen e parave të qytetarëve në mënyrë kaq të vrazhdë, nëse nuk ndalohen, vendi futet në një zonë që çon kah recesionit”, thekson Visar Ademi, ekspert i ekonomisë.

Edhe opozita ka propozuar një varg masash për stimulimin e kompanive vendore përmes subvencioneve dhe lehtësimeve të ndryshme nga ana e shtetit, veçanërisht për ato kompani vendore, të cilat prodhimet e tyre i çojnë jashtë vendit.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)