Pas tensioneve të krijuara nga djegia e flamurit maqedonas nga “Fikshat” në Kacanik, ministria e jashtme e Maqedonisë ka propozuar organizimin e një ndeshje miqësore mes ekipeve futbollistike që do të formohen nga të punësuar në ministritë e dy vendeve, me çka do të jepet shembull simbolik se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të mira.

Këtë ide e ka propozuar ministri i punëve të jashtme të Maqedonisë, Nikolla Popovski, në një takim me ambasadorit kosovar në Shkup, Skënder Durmishi.

“Ishte një takim i rregullt ku u bisedua për marrëdhëniet e mira mes dy vendeve. Pati edhe një iniciativë simpatike që të ketë një ndeshje të përbashkët të futbollit mes ekipeve të dy ministrive. Natyrisht edhe tema lidhur me incidentin e Kaçanikut ishte temë e bisedës,” deklaroi Durmishi.

Djegia e flamurit maqedonas në ndeshjen mes Lepencit dhe Dritës ka shkaktuar reagime të ashpra te partitë maqedonase, kurse Ministria e punëve të jashtme ka kërkuar zbulimin dhe sanksionimin e autorëve. Partitë shqiptare në Shkup kanë vlerësuar se incidenti në Kaçanik ka ndodhur si pasojë e skandalit në ndeshjen miqësore mes kombëtareve të Maqedonisë dhe Shqipërisë, kur tifozët maqedonas ofenduan shqiptarët.