Përdorimi i gjuhës shqipe mungon edhe në portalin zyrtar të Aeroportit të Shkupit, që menaxhohet nga kompania turke TAV. Faqja zyrtare e Aeroportit (http://skp.airports.com.mk/default.aspx?ItemID=408) vazhdojnë të jetë vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze.
“Kjo është skandaloze, po ndodh edhe nga këta turqit që kanë marrë në menaxhim dhe pronësi të përkohshme aeroportin e Shkupit, i cili mbi 60 për qind shfrytëzohet nga shqiptarët sidomos emigracioni. Mendojmë se duhet të bëhet me dije se megjithatë duhet të ketë version në gjuhën shqipe, për tu informuar për nevojat e udhëtimit”, ka thënë një shqiptar për agjencinë maqedonase të lajmeve, Ina.
Në Aeroportin e Shkupit mbizotërojnë edhe elemente të mbishkrimeve të përgjithshme dhe materialeve reklamuese në gjuhën maqedonase, duke u nisur nga mbishkrimi gjigand në hyrjen e portës së Aeroportit që mban emrin e Aleksandrit të Madh në alfabetin cirilik. Shqiptarët bëjnë apel dhe kërkojnë që të sigurohen sa më shpejt informacione në gjuhën shqipe, duke nisur nga versioni në shqip i faqes zyrtare të Aeroportit.
(sg/shqiptarja.com)