MAQEDONI - Diplomatë perëndimorë në Shkup paralajmërojnë se rritja e tensioneve dhe përplasjeve politike mund të çojnë drejt përshkallëzimit të situatës së përgjithshme në Maqedoni.

Bashkësia ndërkombëtare ka shprehur shqetësime lidhur me tensionet e fundit dhe protestat e dhunshme. Burime të diplomatëve evroperëndimor në Shkup i thanë agjencisë së lajmeve INA se rritja e tensioneve dhe përplasjeve politike mund të çojnë drejt përkeqësimin e situatës dhe se ngjarjet e protestave të së hënës dhe dhunës në Parlament janë një pasqyrë e keqe për vendin.

“Ka një përqendrim dhe një shqetësim rreth situatës së fundit dhe tensioneve të krijuara. Bashkësia ndërkombëtare edhe më parë ka paralajmëruar për thellimin e tensioneve. Ndarjet janë thelluar edhe në planin politik dhe në planin ndëretnik dhe mosndërhyrjen në kohë të duhur mund të çojë në përkeqësimin e situatës dhe defokusimin e prioriteteve”, citon agjencia burimin diplomatik.

Sipas tij, faktori ndërkombëtar është i interesuar për një zgjidhje të shpejt përmes dialogut politik dhe për një axhendë kompromisi midis të gjithë faktorëve politik, përndryshe vendi do të humbasë procesin e deritanishëm të arritur në planin e integrimit evropian.

Redaksia online
(eç/dm/shqiptarja.com)