Për gati tri dekada futbolli i Maqedoninë së Veriut ishte në letargji të thellë - si në nivelin e klubeve ashtu edhe të skuadrës kombëtare. Por tani Maqedonia e Veriut u kualifikua për herë të parë në një turne të madh - për Euron 2020. Prej shpalljes së pavarësisë nga ish-Jugosllavia në vitin 1991, ky shtet nuk ka marrë kurrë pjesë në ndonjë turne kaq të madh. Ndërsa në nëntorin e vitit të kaluar, pas fitores 1-0 kundër Gjeorgjisë, arriti të kualifikohet në Kampionatin Evropian.
Fitorja e jashtëzakonshme 2-1 ndaj Gjermanisë në fund të marsit të këtij viti ka rritur euforinë në Maqedoninë e Veriut. "Ekipi shkon atje si debutues ndërsa tifozët mund të shpresojnë ndonjë sukses - duke ndjekur shembullin e ekipit të hendbollit nga Vardari, i cili fitoi Ligën e Kampionëve dy herë", thotë Sashko Dimovski, gazetar sportiv i Nova TV.
Pritja e vendimeve
Gati 30 vjet futbolli në Maqedoninë e Veriut ishte nën hijen e hendbollit dhe të basketbollit, pasi ekipet në këto sporte rregullisht kualifikoheshin për ngjarje të mëdha. Vardari i Shkupit ka fituar Ligën e Kampionëve dy herë - 2017 dhe 2019.
Maqedonia e Veriut në grupin C nuk është ndër favoritët. Ndeshja e parë kundër Austrisë zhvillohet me 13 qershor, e pastaj ndeshet edhe me Ukrainën dhe Holandën. William Hill pohon se Maqedonia e Veriut nuk ka fare shanse për vazhdimin e garave pas ndeshjeve në grup. Kuotat në llotari janë 500/1. Por trajneri i kombëtares Igor Angelovski thotë, se ata nuk kënaqen vetëm me kualifikimin në KE. "Qëllimi ynë është që të kualifikohemi më tutje, pas garave në grupe", thotë Angelovski për DW.
"Duam të shkojmë në finale!"
Optimizmi i Angelovskit ndahet edhe nga anëtarët e ekipit. Viktor Velevski që kujdeset për pajisjet thotë se ai ka përgatitur 250 fanella për stërvitje, që mjaftojnë deri "në finale". "Ne me siguri do t'i mbijetojmë garat në grupe. Do të shohim se çfarë do të ndodhë më pas", thotë ai.
Loja e kombëtares së Maqedonisë së Veriut varet në masë nga loja e kapitenit me përvojë Goran Pandev, i cili për herë të parë ka veshur fanellën e kombëtares në vitin 2001. Deri tani ai ka luajtur 117 ndeshje dhe ka shënuar 37 gola. 38-vjeçari shpreson në mbështetjen e madhe të lojtarëve të tjerë. Një prej tyre është Eljif Elmas, që luan për Napolin e Italisë. 21-vjeçari ka shënuar edhe kundër Gjermanisë. Ndërsa mbrojtësi Ezgjan Alioski luan në Leeds United, e Arijan Ademi është pjesë e ekipit Dinamo Zagreb.
Fanella të reja, probleme të vjetra
Por jashtë fushës ka shqetësime, të cilat mund të prishin atmosferën e mirë në ekip. Një listë e gjatë skandalesh rreth Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut (FFM) kanë përshkallëzuar në një konflikt të hapur midis kryetarit Muamed Sejdini nga njëra anë, si dhe Angelovskit dhe Pandevit në anën tjetër.
Një problem tjetër vetëm disa ditë para fillimit të kampionatit është edhe diskutimi në lidhje me fanellat e reja të kombëtares. Tifozët kanë refuzuar ngjyrën bordo të fanellave dhe kanë kërkuar ngjyrën e flamurit - kuq e verdhë. Federata ka kërkuar tani nga UEFA që të mund të përdoren fanellat e vjetra. Por vëzhguesit janë të mendimit se të gjitha këto zhvillime mund të dëmtojnë edhe ekipin e kombëtares./ Marrë nga Deutsche Welle