Maqedonia e Veriut shënon 32-vjetorin e pavarësisë, SHBA-ja i ofron mbështetje për integrim

Maqedonia e Veriut shënon 32-vjetorin e pavarësisë, SHBA-ja i ofron mbështetje për integrim

Maqedonia e Veriut shënon 32-vjetorin e pavarësisë nga ish-Jugosllavia, përderisa Shtetet e Bashkuara thanë se Shkupi ka bërë hapa të mëdhenj për të siguruar prosperitet për qytetarët.

Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut i parapriu një referendum që u organizua më 8 shtator të vitit 1991, në të cilin mbi 95 për qind e votuesve u deklaruan për shtet të pavarur dhe sovran.

Referendumi u bojkotua nga popullata shqiptare e cila kërkonte të jetë e barabartë në shtetin e ri, pasi sipas tyre “Maqedonia po krijohej si shtet monoentik që nuk pasqyron karakterin shumetnik të saj”.

Refuzimi i kërkesave të tyre çoi në një konflikt të armatosur në vitin 2001 që përfundoi me arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, pas çka Maqedonia e Veriut ndryshoi Kushtetutën e saj për të avancuar të drejtat e shqiptarëve.

Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, në mesazhin e tij në ditën e pavarësisë më shumë u përqendrua në zhvillimet e fundit, aferat dhe abuzimet me pushtetin, që sipas tij, “minuan besimin tek institucionet dhe zhvlerësuan vetë shtetin dhe pritjet e atyre që luftuan për shtet demokratik dhe në shërbim të popullatës”.

“Dhe çmimin po i paguajnë abuzimet që po bëhen, studentët në arsim, të sëmurët në shëndetësi, të varfrit dhe të rinjtë. Gjithnjë e më shumë, solidariteti dhe ndjeshmëria kanë filluar t'i lënë vendin egoizmit dhe apatisë dhe ky është një mjedis në të cilin njerëzit nuk duan të jetojnë. Është koha të konfirmojmë se jemi të aftë në praktikë dhe jo vetëm me fjalë, të përballojmë problemet serioze me të cilat po përballemi në tunelin e gjatë të tranzicionit që nuk mund ta përfundojmë”, tha ai.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, në mesazhin e tij foli për integrimin evropian të shtetit. Ai tha se “ëndrra e atyre që vendosën themelet e pavarësisë, por edhe të gjeneratave të mëhershme dhe popullatës në përgjithësi do të realizohet me rrumbullakimin e integrimit evropian të vendit”.

“Me vendime të arsyeshme dhe të guximshme, vendi ynë e arriti pavarësinë në mënyrë paqësore dhe në të njëjtën kohë ruan unitetin e tij...U bëmë anëtare e Kombeve të Bashkuara. Ne kemi kapërcyer një konflikt ushtarak. U bëmë anëtare e NATO-s. Kemi filluar negociatat me Bashkimin Evropian…Për ne, integrimi në BE do të thotë paga edhe më të larta, vende të reja pune dhe më shumë zgjedhje, kopshte, shkolla dhe spitale më moderne, mbështetje shumë më e madhe shtetërore për sipërmarrjet vendase, akoma më shumë investime të huaja. Qytetarët sot duan të jetojnë në një vend kaq modern, i cili është pjesë e Bashkimit Evropian”, tha ai.

Në 32-vjetorin e pavarësisë, drejtuesit e institucioneve kanë marrë mesazhe të shumta urimi nga liderë botërorë.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në mesazhin e dërguar theksoi mbështetjen e SHBA-së për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të partneritetit, për prosperitetin dhe integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe promovimin e shtetit ligjor.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin Maqedoninë e Veriut në zbatimin e reformave për integrim në Bashkimin Evropian dhe vendosjen e marrëdhënieve edhe më të forta me vendet fqinje evropiane. Maqedonia e Veriut ka bërë hapa të mëdhenj për të siguruar prosperitetin e të gjithë qytetarëve të saj ndërsa përballet me sfidat globale dhe ne qëndrojmë me ju në përpjekjet tuaja për të promovuar sundimin e ligjit. Mezi presim të forcojmë partneritetin tonë me Maqedoninë e Veriut dhe të avancojmë vlerat tona të përbashkëta demokratike në vitet në vijim, thuhet në një mesazhin e Blinkenit.

Ndërkaq, kritika për zhvillimet në Maqedoninë e Veriut ka drejtuar edhe lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski. Ai tha se “aferat korruptive të Qeverisë aktuale po shuajnë gjitha shpresat e rilindësve dhe të qytetarëve”.

“Ëndrra e tyre u shua ngadalë me kalimin e viteve, sidomos tani, po i njëjti brez po jeton vitet më të errëta të pavarësisë, vitet e krimit pa sy, të korrupsionit të kudondodhur, të një qeverie që e konsideron biznesin personal më të rëndësishëm se jetën e një njeriu të zakonshëm. Vitet e fundit tragjeditë janë bërë përditshmëria jonë, mungojnë ilaçet, mungojnë tekstet, mungon drejtësia, por mbi të gjitha mungojnë qytetarët që largohen nga vendlindja për shkak të dështimeve”, theksoi Mickoski.

Përvjetori i pavarësisë së shtetit po shënohet në kohën kur vendi është përfshirë në një krizë të thellë politike për shkak të procesit të ndryshimeve kushtetuese, të domosdoshme për integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Ndryshimet duhet të bëhen për zbatimin e Marrëveshjes me Bullgarinë, bazuar në propozimin francez për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës së saj, si popull shtetformues.

Maqedonia e Veriut në vitin 2018 ka nënshkruar Marrëveshjen me Greqinë për ndryshimin e emrit të saj, nga Maqedoni në Maqedoni në Veriut, si domosdoshmëri për anëtarësim në NATO./REL

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja