SHKUP- Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë ka shprehur ditën e sotme shqetësimin e saj ndaj përdorimit të termit “popullata sllave” nga ana e ambasadorit të ardhshëm amerikan në Shkup.

Ministria pretendon se shprehja në fjalë, që supozohet të ketë përdorur ambasadori Jess Baily në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit amerikan, lëndon ndjenjat e popullit maqedonas dhe gjithashtu vë në pikëpyetje identitetin e këtij të fundit. “Tërheqjen e vëmendjes” e ka marrë zyrtarisht zëvendësambasadori amerikan në Shkup.

“Ky emërtim e sjellë në pikëpyetje identitetin dhe lëndon ndjenjat e popullit maqedonas. Njëkohësisht, emërtimi i tillë i papërshtatshëm i popullit maqedonas do të mund të ketë implikime negative në planin e politikave të jashtme dhe të brendshme”- ka deklaruar  Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë

Ndërsa mësohet se në Komisionin e Senatit, ambasadori Jess Baily ka theksuar domosdoshmërinë që Shtetet e Bashkuara të ndihmojnë për anëtarësimin e Maqedonisë në Nato dhe në Bashkimin Europian. Gjithashtu Baily pritet të zëvendësojë ambasadorin e deritanishëm në Maqedoni, Paul Wohlers. 

Redaksia Online
(e.n/Shqiptarja.com)