SHBA - Ankand milioner në Dallas për topin ikonik “Adidas Azteca”, me të cilin Diego Armando Maradona shënoi dy nga golat më të famshëm në historinë e futbollit.

Topi “Adidas Azteca” i përdorur në çerekfinalen e Botërorit 1986 mes Argjentinës dhe Anglisë është shitur për 3.35 milionë dollarë në një ankand të zhvilluar nga Heritage Auctions në Dallas. Shifra ishte dukshëm më e ulët se pritshmëritë fillestare, pasi topi vlerësohej të arrinte deri në 10 milionë dollarë.

Bëhet fjalë për topin me të cilin Maradona realizoi, brenda vetëm katër minutash, dy nga momentet më ikonike të karrierës së tij, golin e shumëdiskutuar të “Dorës së Zotit” dhe atë që më pas u pagëzua si “Goli i Shekullit”. Argjentina fitoi ndeshjen 2-1 ndaj Anglisë dhe më vonë u shpall kampione e botës.

Heritage Auctions konfirmoi autenticitetin e topit përmes analizave dhe krahasimit me fotografi të ndeshjes. Specialistët identifikuan shenja dhe karakteristika unike të topit, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me momentet kur Maradona shënoi të dy golat historikë.

Pas ndeshjes, topi mbeti në duart e arbitrit tunizian Ali Bin Nasser, i cili e ruajti për më shumë se tri dekada. Në vitin 2022, ai e shiti për rreth 2 milionë paund përmes Graham Budd Auctions në Londër. Një tentativë tjetër për ta shitur në vitin 2023 dështoi pasi oferta nuk arriti çmimin minimal të vendosur nga pronari.

Pavarësisht rëndësisë historike të topit, ai nuk arriti rekordin e vendosur nga fanella e Maradonës e veshur në të njëjtën ndeshje. Në vitin 2022, fanella e famshme me numrin 10 u shit për rreth 9.3 milionë dollarë në Sotheby’s.

Ndërkohë, rekordi për një objekt sportiv mbetet ai i uniformës së Babe Ruth, e veshur gjatë sezonit të vitit 1932 me New York Yankees, e cila u shit për 24.12 milionë dollarë në vitin 2024.

Topi i “Dorës së Zotit”, megjithatë, mbetet një nga objektet më të rralla dhe më të lidhura drejtpërdrejt me historinë e futbollit, i njëjti top që dëshmoi mashtrimin më të famshëm të Maradonës dhe vetëm pak minuta më pas, gjenialitetin e tij të jashtëzakonshëm.

Topi që u përdor në ndeshjen çerekfinale të Kupës së Botës 1986 midis Argjentinës dhe Anglisë u shit për më shumë se 3 milionë dollarë të shtunën në mbrëmje