Margarita Xhepa: Zenepe Luka na pruri në Vlorën e bukur Donikën e Kastriotëve, edhe motrën e saj, Angjelinën, shenjtoren e famshme!

Margarita Xhepa: Zenepe Luka na pruri në Vlorën e bukur Donikën e Kastriotëve, edhe motrën e saj, Angjelinën, shenjtoren e famshme!

Margarita Xhepa dhe Zenepe Luka

Gazetarja Zenepe Luka ka botuar librin “Angjelina Arianiti Komneni - Shpirti i shenjtë i Arbërisë”. Botimin e këtij libri, që ka në vëmendje motrën e Donikës së Kastëriotëve, e vlerëson edhe aktorja e mirënjohur Margarita Xhepa përmes një mesazhi zanor.

Artistja nder të tjera, shprehet se ndihet e keqardhur, që nuk mund të jetë në promovimin e librit, por nuk mund të rri pa evidentuar punën e palodhur të gazetares edhe kryetares së shoqatës "Nermin Vlora Falaschi", Zenepe Luka, e cila ka bërë edhe vijon të bëjë, për promovimin e grave shqiptare!

"Zenepe Luka, kryetarja jonë e cila ka promovuar vazhdimisht bëmat e grave shqiptare na pruri në Vlorën e bukur Donikën e Kastëriotëve, aty ajo filloi të gërmojë edhe të gjejë edhe motrën e Donikës, Angjelinën, shenjtoren e famshme. Duke krijuar një donacion të vogël me guxim shkoi në manastiret e Serbisë për të gjet gjurmët e Angjelinës", shprehet Xhepa.

E më tej artistja thekson se është detyrë e historianëve, puna që ka bërë Zenepe Luka për gjetjen e gjurmëve të shenjtores, qe edhe sipas dëshmive të studiuesve serbë ka ditur të bashkëjetojë me serbët.

"Virtytet e Shën Angjelinës ka qenë përkushtimi i gruas edhe mençuria e nënës... Serbët i kanë vënë emrin nënë Angjelina. Martesa e saj me një serb, një fisnik, Stefanin rrëfen se si bashkëjetesa e shqiptarëve me serbët ka qenë e mirë. Por gjitha ajo miqësi e madhe mes popujve thotë studiuesi serb ka mbet në heshtje", shprehet ndër të tjera Xhepa.

Ndërsa, bashkëngjitur më poshtë sjellim të plotë edhe epilogun e gazetares Zenepe Luka gjatë promovimit të librit.

U realizuan një ëndërr dhe një amanet

Në këto rreshta të fundit të librit  “Angjelina Arianiti Komneni - Shpirti i shenjtë i Arbërisë”, bindem në vetvete, me shpresë, se do të bindet edhe lexuesi, që pas shumë mundimesh, u realizuan një ëndërr dhe një amanet. Ja, në 300 faqet e librit, me fakte, të dhëna historike e foto, sollëm në vendlindje dhe në kujtesën historike të kohës, pas 500 vjetësh, bijën e Arbërisë. Shenjtoren Angjelina Arianitii.

Kam sjellë edhe reliktet, që mora në Manastirin e Krushedolit, në Vojvodinë, ku Angjelina jonë prehet; i mora me vete si bekim për bashkëkombësit, për t’i prekur me dorë e pasuruar shpirtin me shenjtërinë e saj, relikte, përpara të cilave, besimtarët e shumë vendeve, luten prej shekujsh.

Ishte ëndërr…, sikurse jam shprehur tek parafjala e librit. Vendlindja ime është në kufi me Sopotin e lashtë, vatrën, ku lindi kënga e Gjergj Golemit. Eposi i kësaj kënge - legjëndë, më mbrujti shpirtin me trimërinë e sopotareve luftëtare, që rrokën thika e rrokën shpata, për të mbrojtur princin e tyre, atin e Angjelinës. Jam ndjerë krenare, por ka qënë edhe obligim i kahershëm për të studjuar e shkruar për arianitëtët, që kanë qënë zotër edhe në vendlindjen time.

Kisha dëgjuar edhe për Angjelinën, bija e gjashtë e princit Gjergj Arianitit, se kishte lindur në Elbasan, buzë Shkumbinit të lashtë, ku kam lindur edhe unë. Kishte të dhëna mjegullore, se prej shekujsh ishte shpallur shenjtore e kishës ortodokse serbe dhe respektohej si e tillë nga shumë vende e popuj dhe për çudi nuk njihej dhe vlerësohej në vendlindje.

E pra, ky libër, do të promovohet më 30 korrik të këtij viti, që është fiks data e 500 vjetorit të vdekjes së Shenjtores Angjelinë. Shpresojmë, që në këtë datë kaq të largët, por që na e sjell mes nesh Angjelinën tonë, emri dhe vepra e saj të përjetësohen në emra rrugësh e sheshesh, në shtatore, për të përcjellë për brezat që vijnë shenjtërinë e saj.

Amaneti i kryer?!

Po. Është amaneti i Ambasadores së Kombit Nermin Vlora Falaschi dhe misioni i  Fondacionit me emrin e saj, që unë, autorja e këtij libri, e drejtoj prej 18 vjetësh, për promovimin e vlerave dhe kontributeve të gruas së shquar shqiptare në shekuj. Kemi bërë shumë botime, dokumentarë dhe vetëm para një viti,  sollëm në Vlorë shtatoren e Donika Kastriotit, gruas së Heroit të Kombit Gjergj Kastriot Skënderbeut, motrës së Shenjtores Angjelinë. Ky mision nuk do të ndalet.

Duke përfunduar e them me gojën plot, që ky libër, nuk do ta kishte parë dritën e botimit, nëse nuk do të gjenim mbështetjen e Ambasadës serbe në Tiranë, shkrimtares serbe  Liliana Habjanoviq Gjuroviq, kryetarit të shoqatës “Amza e shqiptarëve” në Novi Sad, z. Demo Berisa, kolegëve të mi gazetarë Idro Seferi në Beograd, Raimonda Mojsiu dhe Fuat Memeli në SHBA, publicistit dhe studiuesit Arenc Bebja ne Francë,  profesor Lutfi Alia në Itali dhe shumë personaliteteve të tjera, që me faktet e trajtuara në materialet e tyre, sollën në faqet e librit, portretin dhe nderimin, që i bëhet Shenjtores Angjelinë në Amerikë, Francë, Itali,Vojvodinë etj.

Faleminderit  kryetarit të bashkisë së Vlorës, zotit Dritan Leli, që kontriboi për botimin e librit.

Mirënjohje!

Shqipëria ka dy Shenjtore

Zenepe Luka

U ngrit Shqipja përmbi retë,

Nis të bukurin fluturim,

Kapton male, lum e det,

Për të mbërritur n’Arbëri.

Është shenjtorja Angjelinë,

Plot pesë shekuj larguar,

Vjen me mall e drithërimë,

Për vendlindjen përvëluar.

Bija e Princit Arianiti,

Motra e Donikës fisnike,

Shpirt i saj në botë shndrriti,

Për t’i dhënë shenjtëri drite.

Shqiponjës sonë në flamur,

I thonë:  Shqipja dykrenore,

Shqipëria jonë gjithë nur,

Ka dy të urtat shenjtore.

Nga këto troje bekuar

doli dritë për njerëzinë

Nënë Tereza yllësuar,

Ballëdafina Angjelinë…

 maj 2020

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë