Maria 17-vjeçare, u vra nga
gjakmarrja për një burim uji

Maria 17-vjeçare, u vra nga <br />gjakmarrja për një burim uji
Masakra ku mbeti e vrarë 17-vjeçarja Marije Qukaj dhe Gjyshi i saj 72-vjeçar Kolë Qukaj lidhet posaçërisht me një emër. Ai quhet Ndoc Prroji, i vrarë në korrik të vitit 2010 në fshatin e thellë të Kasnecit në Dukagjin, nga një tjetër derë e fisit Qukaj. Ndoc Prroji ka lindur në fshatin Kasnec, ai është nipi bajraktarit të dikurshëm të fshatit dhe djali i Dedë Vocit, i cili jeton ende, në një lagje të Shkodrës. Ndoc Prroji ka ikur që në rininë e hershme nga fshati Kasnec, ai u martua dhe jetoi për afro 40 vite në qytetin e Shkodrës. Në rininë e tij, por edhe më vonë Ndoc Prroji ka qenë shumë shpesh një "i ftuar special" i zyrave të shtetit për shkak se është hetuar për shumë grabitje, sidomos me anë të mashtrimit. Në mesin e viteve ‘90 ai nisi të jetonte mes Italisë dhe Shkodrës, shkonte periodikisht në Itali dhe punonte. Në fillim të viteve 2000, Ndoc Prroji u nda nga bashkëshortja e tij. Lekët që kishte mbledhur nisi t'i investonte në blerje bagëtish dhe u ngjit lart në mal duke u rikthyer pas 40 vitesh në fshatin e tij të Lindjes, në Kasnec. Ndoc Prroji u kthye në kullën e të atit të tij, ndërsa ky i fundit bëri rrokadë me të dhe nisi të jetojë në Shkodër që prej vitit 2001. Ndoc Prroji nisi të merrej me bagëtitë e tij që e kishte blerë me lekët e kursyera nga emigracioni, ai nisi të bashkëpunojë dhe me antarët e familjes Qukaj për rritjen dhe mbarështimin e bagëtive. E organizonin sëbashku punën. Ishin jo vetëm miq të hershëm në vite, por tashmë edhe bashkëpuntorë në krijimin e një sistemi pune në fshatin e thellë për të rritur të ardhurat. Por bashkëpunimi nuk ka zgjatur shumë. Madje gjithçka precipitoi shumë shpejt.
BURIMI I UJIT
Vëllai i Kolë Qukajt, i vrarë sëfundmi me mbesën e tij, Marijen 17 vjeçare, quhet Martin Qukaj. Është pikërisht Martini ai i cili në fillim të vitit 2010, nisi një debat të egër me Ndoc Prrojin. Debati ishte për burimin e ujit, jetik për për 9 kullat e fshatit Kasnec. Martin Qukaj kishte ndërtuar në zemër të burimit një mulli, e për këtë arsye Ndoc Prroji u ankua, sepse sipas tij, mulliri merrte të gjithë ujin dhe e pengonte kullën e tij të merrte furnizimin e nevojshëm. Ndoc Prroji nisi të debatonte gjithnjë e më shpesh me Martin Qukajn, por kjo situatë u ç'tensionua diku nga marsi i vitit 2010 dhe dy familjet gjetën një mënyrë për t'u marrë vesh, megjithatë debatet ishin të nevojshme për të konsoliduar inatet dhe urrejtjen në rritje mes dy fiseve.

MULLIRI I BLUARJES
Pasi mosmarrëveshja për burimin e ujit u sheshua, në prill 2010 mes Martin Qukajt dhe Ndoc Prrojit nisën divergjencat për mullirin. Dikur Ndoc Prroji e shfrytëzonte mullirin e ndërtuar nga Martin Qukaj. Madje ai në dy raste investoi me lekët e veta riparimin e mullirit. Por sherri për burimin e ujit bëri që Martin Qukaj të rishikonte kushtet për përdorimin e Mullirit. Ai deklaroi se të gjitha familjet e fshatit që do e përdornin duhej të paguanin diçka. Ndoc Prroji kishte të tjera ide në kokë, ai thonte se nuk ishte dakord të paguante. Për të zgjidhur këtë problem në muajin Maj 2010, burrat e 9 kullave të fshatit u mblodhën në shtëpinë e Ndoc Prrojit për të zgjidhur problemin. Pas diskutimeve mes Ndoc Prrojit dhe Martin Qukajt, Prroji i tha Qukajt të dilte jashtë shtëpie. Madje në oborrin e shtëpisë së tij ai e fyeu dhe e goditi të ftuarin. Martini u kthye në shtëpi, në kullën e Qukajve, por djali i tij Gjokë Qukaj, kur mësoi ngjarjen mori në krahë kallashnikovin dhe zbrazi karikatorin drejt kullës së Ndoc Prrojit. Me ndërhyrjen e kryetarit të komunës edhe kjo situatë u çtensionua pasi palët thanë se ishin një me një. Dhuna e Ndoc Prrojit në shtëpinë e tij u barazua me breshërinë e kallashnikovit drejt shtëpisë së tij.
DASMA
Pas sherrnajës për mullirin, në shtëpinë e Qukajve në qershor ishte shpallur një dasmë. Martohej e bija e Martin Qukajt. Por kishte një problem. Martin Qukaj ishte shpallur në kërkim pas të shtënave me kallashnikov në shtëpinë e Ndoc Prrojit dhe Ndoc Prroji nuk e kishte tërhequr denoncimin. Djali i Martinit, Gjoka shkon para dasme dhe i kërkon Ndocit të tërheqë denoncimin ndaj të atit duke i kujtuar dasmën e së motrës që po trokiste, por ky i fundit thuhet se i dha atij një përgjigje të vagullt. Vetëm katër ditë përpara dasmës Martin Qukaj arrestohet nga policia. Kjo ngjarje shkaktoi një zemërim te i biri i të arrestuarit, Gjokë Qukaj, në korrikun e vitit 2010 ai mori për herë të dytë kallashnikovin dhe kësaj here la të vdekur në vend Ndoc Prrojin. Që prej asaj dite kulla e Ndoc Prrojit u boshatis, askush nuk jetoi më aty. Autori Gjokë Qukaj u vetëdorëzua pas negociatash pak ditë më vonë pasi kreu vrasjen e Ndoc Prrojit. Tashmë ai dhe i ati i tij Martini ndodhen të dy në burg, Gjoka i dënuar 14 vite për vrasje, ndërsa Martin Qukaj i dënuar me 1 vit për armëmbajtje pa leje. Tashmë në kullën e Qukajve kishte mbet vetëm i vëllai i Martinit, Kolë Qukaj dhe fëmijët e tij. Pikërisht Kolë Qukaj dhe vajza e djalit të tij Marija, janë ekzekutuar në arrën e shtëpisë së tyre më 14 qershor të këtij viti.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë