NJU JORK – Shpërthen skandali i rradhës në lidhje me sjelljen e trupave amerikane në Afganistan, teksa publikohen fotot e marinsave amerikanë duke u tallur me trupa të shpërbërë kamikazësh.

Fotot i përkasin vitit 2010, por janë publikuar vetëm tani nga Los Angeles Times, pas një përpjekjeje të gjatë të Pentagonit për të bindur gazetën që të mos i publikonte ato. Në foto duken marinsa amerikanë duke buzëqeshur, diku praën një krahu, diku me një dorë të përgjakur, që u përkasin trupave të kamikazëve të vdekur.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Leon Panetta i dënoi ashpër veprimet e ushtarëve amerikanë në fotot e publikuara dhe kërkoi ndjesë duke dhënë edhe mbështetjen e tij për hetimin që tashmë ka nisur në Pentagon. Duke folur nga Brukseli, ku ndodhet për një takim, Panetta shtoi se në luftë ndodh që djemtë e rinj “të kryejnë edhe veprime idiote, nuk e them këtë për të justifikuar sjelljen e tyre por sepse nuk dua që kjo të sjellë më tepër dëm për trupat amerikane në Afganistan”.

Një sërë incidentesh të tilla, të nisura që nga Iraku e që me zor mund të quhen ende sporadike, i kanë vënë në vështirësi trupat, amerikane dhe jo vetëm, në Afganistan, ku ushtarëve të NATO-s u duhet tashmë të përballen jo vetëm me sulmet talebane, por edhe me zemërimin e popullatës me këto akte që janë fyese për dinjitetin njerëzor dhe për fenë islame.
(Foto e publikuar nga Los Angeles Times)

(ep/shqiptarja.com)