TIRANE- Në Gjykatën e Krimeve të Rënda Marjon Mitro mohon të jetë porositësi i atentatit me tritol të mbetur në tentativë ndaj prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi dhe vendosjes së lëndës eksploziv në banesën e kreut të PD-së në Vlorë, Ardian Kollozi.

“Nuk kam pasur pse t'i vë tritolin Besnik Dervishit dhe Ardjan Kollozit pasi i kam miq” mësohet të ketë thënë Mitro para gjyqtares së Gjykatës së Krimeve të Rënda, Etleva Deda, në seancën me dyer të mbyllura ku u vlerësua masa e arrestit burg për biznesmenin 42-vjeçar.

Detajet e seancës me dyer të mbyllura janë dhënë nga avokati mbrojtës i caktuar kryesisht për Marjon Mitron, Ridvan Ponari, pas përfundimit të seancës gjyqësore.

Seanca u zhvillua nën masa të larta të sigurie.

Pas Mitros u vlerësua dhe masa e arrestit burg për  anëtarin tjetër të bandës së tritolit, N. Gj, i penduari i cili pranoi të bashkëpunonte me Prokurorinë për të zbardhur krimet e bandës, dhe çoi më pas në arrestimin e Julian Sinanajt.

N.Gj mësohet të ketë thënë në seancë se i qëndronte deklaratave të policisë.

Ndaj dy të arrestuarve prokurorët e Krimeve të Rënda Behar Dibra e Ardian Nezha lexuan akuzat" "Akte terroriste dhe vrasje të mbetur në tentative ndaj funksionarëve publikë"

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dëshminë e Julian Sinanaj, i arrestuar si vrasës me pagesë për të paktën 20 vrasje në Greqi dhe të paktën 2 vrasje në Vlorë dhe sulme të tjera me eksploziv. Sinanaj, ka treguar Mitron si porositës dhe paguesin e tij për krimet e kryera në Shqipëri.

Sinanaj, ka pranuar se ka marrë 20 mijë euro për bombën me celular që ia ka dhënë Mitros, e cila dyshohet të jetë e njëjta e gjetur nga Garda e Republikës në automjetin e prefektit Besnik Dervishi në hyrje të Kryeministrisë.

ARRESTIMI I MARJON MITROS
Marjon Mitro, 42 vjeçari nga Vlora u arrestua më 29 janar 2014. A1 Report" transmetoi  pamjet filmike të siguruara nga kamerat e sigurisë së aeroportit "Nënë Tereza", të cilat kanë fokusuar momentin e arrestimit të Marion Mitros, teksa po tentonte të largohej jashtë vendit. 

42-vjeçari, i cili mendohet se shërbente si nyje lidhëse mes biznesmenëve dhe vrasësit Julian Sinanaj dhe që dyshohet se porositi atentatin që mbeti në tentativë ndaj prefektit të Vlorës Besnik Dervishi, ka qenë njëri nga vartësit e kryebashkiakut Shpëtim Gjika.
 
I PENDUARI I "TRITOLIT"  UNE BEJA VRASJEN SEKSERI MERRTE LEKET
Ndërkohë vrasësi me pagesë, 31-vjeçari Juljan Sinanaj, ka shfaqur pakënaqësi rreth pagesave për çdo eleminim fizik që kryente, ndoshta për këtë fakt ka zgjedhur dhe të bashkëpunojë me policinë.
 
Në rrëfimin pranë ekspertëve të Policisë së Tiranës dhe prokurorisë së Krimeve të Rënda, ai zbërtheu gjithë skemën e vrasjeve. Si përshembull, Sinanaj tha se për vrasjen e bisnezmenit Sokol Veizaj i ishin premtuar 1500 metra tokë dhe në fund kishte marrë vetëm një apartament.
 
Ndërkaq, atentati në tentativë ndaj prefektit të Vlorës, Besnik Dervishi, ishte mundësuar pas dështimit të vrasjes së një tjetër biznesmeni, me inicialet J.M.

Porositësi Marion Mitro i kishte premtuar Sinanajt 20 mijë euro në këmbim të vrasjes së Metushit dhe meqë nuk u realizua, ai i kërkoi killerit 27-vjeçarit të vendoste tritol në makinën e prefektit të Vlorës.
 
Kryesisht Sinanaj merrte nga 5 deri në 50 mijë euro për çdo shërbim, ndërsa ka theksuar faktin se i dukej sikur paguhej më pak se Neritan.Gj, i cili ishte personi-kyç që njihej si ndërlidhësi mes vrasësit dhe porositësit, pra një sekser i mirëfilltë njerëzish.

Burimet e rezervuara policore thanë se Sinanaj, që ishte edhe ekzekutuesi real i porosive për vrasje, ka deklaruar para ekspertëve se, “nuk më jepnin hakun. Unë bëja punën dhe lekët i merrnin të tjerët”.
 
Përveç serisë së vrasjeve të bëra në Greqi, ku për mediet fqinje pranoi se ishte urdhëruar nga një politikan, Sinanaj dyshohet edhe për disa vrasje në Itali dhe shtete të tjera, ku urdhëruesit e krimeve dyshohet se ishin krerë të organizatave të trafikut të drogës dhe prostitucionit si dhe në rangjet e zyrtarëve të lartë.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)