Mungesa e Mark Markut në listën e kandidatëve të PD për zgjedhjet e 23 qershorit, ishte një prej surprizave të listës së PD. Por, Marku ka thënë se e priste që të mos ishte pjesë e listës së PD-së dhe për këtë arsye nuk është surprizuar shumë.

Ai ndërkohë ngre pyetjen se përse në listën e PD-së nuk ka pasur vend për demokratë, por ka pasur vend për ish-deputetë socialistë, mes të cilëve edhe ministri i Edukimit në kohën e Ramiz Alisë. Marku ka qenë kundër përfshirjes në listat e PD edhe të krerëve të partive aleate.

“Pse s’kishte vend për demokratët dhe kishte për Kastriot Islamin, ministër i Edukimit në kohën e Ramiz Alisë?”, thotë Marku. Mosfutjen e tij në listë ai e argumenton se ka ardhur për shkak të kritikave që ka lëshuar ndaj qeverisë. “Lista ka paradokse.

Në lista nuk jemi si në që në njëfarë mënyre i kemi “tërhequr veshin” qeverisë për disa mosfunksionime dhe disa probleme që ka pasur në funksionimin e qeverisë, po ashtu në listë nuk janë gjithashtu edhe ata anëtarë të komisionit të veshit po themi.

Ndëshkohet modeli kritik, por është ndëshkuar edhe modeli i kundërt, modeli që ka qenë shumë konformist dhe shumë i zellshëm brenda PD-së, madje ka bërë edhe veprime që normalisht ndoshta nuk do duheshin bërë.

Në njëfarë mënyre ka një çorientim në çështjen listave”, deklaroi Marku. Ai ka qenë një ndër të paktët zëra ndryshe në PD, por që nuk arriti kurrë të formulonte qendrime të qarta kritike apo ndonjë platformë, siç premtoi verën e kaluar.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 08.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)