LEZHE- Bashkia e Lezhës po shkatërron historinë e këtij qyteti, duke i mbuluar me beton muret antike që kanë dalë në dritë gjatë punimeve që po kryhen për rikonstruksionin e sheshit kryesor të Lezhës. Akuza vjen nga kreu i Partisë Demokratike në Lezhë, Paulin Marku, sipas së cilit gjetja e mureve antike të shekullit të VI për bashkinë e Lezhës është më pak e rëndësishme se investimi aktual që bëhet për qëllime elektorale.
 
Nga ana tjetër ka reaguar edhe përgjegjësi i Parkut Arkeologjik të Lezhës, Helidon Sokoli, sipas të cilit ky mur është konstatuar që në fillim të muajit nëntor dhe menjëherë janë ndërprerë punimet në këtë pjesë të sheshit, dhe gjithçka po studiohet nga ekspertët e fushës.
 
Muri i cili i përket shekullit të VI doli në dritë gjatë punimeve që po kryhen në sheshin para bashkisë së Lezhës, ndërsa vendorët nuk kanë pasur asnjë interes për të duke tentuar që ta mbajnë të fshehur duke e mbuluar me gurë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)