Një takim i karakterizuar nga tensione të vazhdueshme ishte ai mes administratës së Biden dhe përfaqësuesve kinez.
“Ne nuk kërkojmë konflikt, por e mirëpresim konkurrencën e fortë dhe ne gjithmonë do të mbrojmë parimet tona, për njerëzit tanë dhe për miqtë tanë”, tha këshilltari amerikan i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken i tha diplomatit të lartë të Kinës, Yang Jiechi dhe Këshilltarit kinez të Shtetit Wang Yi se pala amerikane do të diskutonte “shqetësimet e saj të thella” në lidhje me veprimet kineze në Xinjiang ndaj komunitetit islamik atje, Hong Kong dhe Tajvan, si dhe sulmet kibernetike ndaj Bashkuara Shtetet dhe presionin ekonomik ndaj aleatëve.
“Secila prej këtyre veprimeve kërcënon rendin e bazuar në rregulla që ruan stabilitetin global,” tha ai.
Këshilltari kinez u përgjigj duke thënë se Shtetet e Bashkuara përdorin fuqinë e tyre ushtarake dhe epërsinë financiare për të bërë presion ndaj vendeve të tjera.
Yang u shpreh se Xinjiang, Hong Kong dhe Tajvani ishin të gjitha pjesë të pandashme të territorit kinez dhe Kina kundërshton me vendosmëri ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara apo edhe shteteve të tjera në punët e brendshme pasi u kërcënohet sovraniteti.
“Mënyra se si ne e shohim marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara, siç ka thënë Presidenti Xi Jinping, është se ne shpresojmë të mos shohim asnjë konfrontim, asnjë konflikt, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara nga i cili të dyja vendet përfitojnë”, tha Yang.
Marrëdhëniet mes palëve janë përkeqësuar ndjeshëm gjatë presidencës së Donald Trump, i cili nuk ka nguruar ta akuzonte Kinën për përhapjen e COVID-19 dhe për fshehjen e të dhënave në lidhje me të, akuza të cilat u hodhën poshtë nga pala kineze.