TIRANE-Zbardhet i plotë vendimi i pushimit të Hetimeve për Paktin detar mes Bashës e Bakojanis.

"Grupi i negocimit të marrëveshjes së detit të lidhur mes Shqipërisë dhe Greqisë në vitin 2009, nuk ka kryer elementë të veprës penale".

Në këtë përfundim ka dalë Prokuroria e Tiranës, e cila ka urdhëruar mbylljen e hetimeve për 11 zyrtarët e ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Mbrojtjes.Sipas Prokurorisë në rastin konkret nga tërësia e provave të grumbulluara rezulton që nuk plotësohen  elementët e anës subjektive  të veprës penale Marrëveshja për dorëzim territori për shkak se konstatohen që bisedimet  e anëtarëve të grupit të punës janë bërë në neglizhencë të palës shqiptare për marrjen e masave parapërgatitore për marrëveshjen e delimitimit, për kryerjen e punës kërkuese dhe përgatitore gjatë bisedimeve dhe normave juridike ndërkombëtare dhe të brendshme. Sipas prokurorisë kjo neglizhencë e grupit të punës ka pas sjellë dhe shkeljet e rënda të konstatuara më pas nga Gjykata Kushtetuese.

Në këto kushte mungesa e njërit  prej elementëve të domosdoshëm e fajit ‘dashje’ si element i domosdoshëm I anës subjektive të veprës  penale në hetim sjell si pasojë  mungesën  në tërësi të veprës penale në hetim. Nga ana tjetër, ky fakt nuk përjashton nëpunësin konkretë për ti nënshtruar  procedimit administrativ disiplinor, për shkeljet e konstatuara.

marrevshja dokumenti 1

marrevshja dokumenti 2

Zyrtarët e ministrisë së Jashtme jo në pyetje
Gazeta ‘Shqiptarja.com’ zbardh të plotë vendimin e pushimit të hetimeve të prokurorisë së Tiranës që bën fjalë për  marrëveshjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë. Në përfundim të hetimeve konstatohet se prokuroria e Tiranës nuk ka arritur të pyesë një pjesë të madhe të grupit të punës, kryesisht  zyrtarë të ministrisë së punëve të jashtme, pasi këta të fundit kanë qenë me detyra diplomatike jashtë shtetit.

I vetmi që është pyetur është shtetasi me inicialet T.B. Ky i fundit në vitin 2007 është emëruar në drejtorinë e marrëdhënieve me vendet fqinje ka sqaruar se është njohur me dosjen e marrëdhënieve me Greqinë dhe me tematikën e kërkesës së palës Greke për ngritjen e një komisioni për përcaktimin e kufijve detarë ndërmjet dy vendeve. Ai sqaron në prokurori se di drejtori politike e ka trajtuar çështjen në parim dhe nuk është futur asnjëherë në elementët teknikë të kësaj çështje ai deklaron se zyrtarisht nuk ka qënë  I angazhuar për trajtimin konkret të këtyre bisedimeve. T.B, më tej ka sqaruar se deri në mesin e vitin 2008 kjo marrëveshje ka qenë në fazat fillestare të trajtimit dhe ai në fillim të korrikut është larguar nga detyra e drejtorit.

Ndërkohë zyrtarët që nuk janë pyetur nga prokuroria janë, shtetasit Ferit Hoxha ish-sekretar i përgjithshëm i MPJ aktualisht përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë pranë OKB në New YORK,Lorena Hysi, ish-drejtoreshe e drejtorisë së traktateve dhe së drejtës ndërkombëtare, aktualisht diplomate në ambasadën e Shqipërisë Romë.

Suela.J, specialiste në drejtorinë e traktateve dhe se drejtës ndërkombëtare, aktualisht përfaqësuese e përhershme e Shqipërisë në Bruksel. Enkelena Mërkuri, ish-specialiste në drejtorinë rajonale aktualisht diplomate pranë ambasadës në Athinë. Ilir Tepelena, ish-drejtor  I drejtorisë rajonale  aktuale I dekretuar ambasador i Shqipërisë në Rumani.

Dëshmia e oficerit: Shfuqizuan ligjin për vijën bregdetare
Për llogari të këtij hetimi prokuroria e Tiranës ka marrë në pyetje oficerin me inicialet B.P.Ky I fundit ka sqaruar se me urdhrin e ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu të muajit gusht të vitit 2007 është caktuar anëtar i grupit të punës për përgatitjen e kësaj  marrëveshje. Prej kësaj  periudhe e deri në shkurt të vitit 2008 ka marrë pjesë në disa mbledhje të zhvilluara në ministrinë e jashtme me grupin e punës ndër dikasterial për fazën përgatitore të negociatave.

Kjo periudhë kryesisht ka qenë e ngarkuar me përgatitjen dhe botimin  e hartës  shqip, njohja e një praktike të ngjashme me Italinë, studimin e të gjith bazës ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe njohjen dhe konsulta të ndryshme me këtë problem. Në mbledhjen e fundit që ka marrë pjesë është shtruar problemi i vijës bazë për të cilën një anëtar o grupit të punës, përfaqësues i ministrisë së brendshme u shpreh se nuk kemi vijë bazë pasi ligji është ndryshuar.Oficeri B.P ka treguar në prokuror se ligji për të cilin bëhej fjalë ishte ligji me nr.8771 datë 19 prill 2001 I cili bënë fjalë  për kufirin detar dhe gabimisht është shfuqizuar së bashku me ligjin që bën fjalë për menaxhimin e kufirit detar.’’…

Pa ligjin e kufirit detar nuk mund të kishte  negociata pasi është detyrim I marëveshjes së ‘Montego Bay’ ratifikuar në vitin 2003 nga shteti Shqiptar dhe përcaktohet në nenin 5 të kësaj marëveshje. Sipas deklaruesit është detyrim ligjor i organeve ligjvënëse shqiptare  për përcaktimin e vijës bazë se do të ishte e nevojshme trajtimi i pikës treshe Shqipëri-Greqi-Itali në perëndim të Karaburunit si dhe  duhet të ishte anëtar i grupit të punës Anastas Goga  si specialist më i aftë  në këtë fushë në atë kohë me detyrë kapiten i kapitenërisë së Portit Vlorë.

Zëvendësimi me Kristaq Gërvenin
"Kjo ka qenë mbledhja e fundit që unë kam marrë pjesë, më pas  në prill të vitit 2008 u njoha me një shënim të ministrit të mbrojtjes Gazmend Oketa mbi një shkresë të ministrit të jashtëm Lulzim Basha i cili detyronte Kristaq Gërvenin të vazhdonte negociatat me grupin e punës Grek në Athinë dhe mua më largonte nga grupi i punës". Nga ky moment deklaruesi nuk është marrë më me këtë çështje.


Gjeografja: Më dhanë koordinata të panjohura
Shtetësja M.Z e cila nga viti 2006 e deri në 2010 ka qënë Drejtoreshë në institutin Gjeografik të Ushtrisë, ka deklaruar se me urdhërin e ministrit të Mbrojtjes , ngarkohej Instituti Gjeografik Ushtarak të merte pjesë në komisionin e ngritur pranë Ministrisë së Jashtme për përgatitjen e marrëveshjes së mësipërme dhe se ajo së bashku me gjeografin e institutit A.C, kanë marrë pjesë në këto mbledhje.Nga ministria e jashtme kjo shtetase deklaron se është informuar se duhet të merte pjesë në mbledhjet që bëheshin për përgatitjen e marrëveshjes në rastet kur mblidheshin përfaqësues të dy palëve.Si institute kishim për detyrë të përgatisnim hartën e cila ishte bazë mbi të cilën do diskutohej midis dy palëve për përgatitjen e kësaj marëveshje. Të gjitha mbledhjet për përgatitjen e kësaj marrëveshje kryeheshin në ministrinë e Jashtme.Deklaruesja thotë se mban mend se në kohën që ishte drejtoreshë në Institutin Gjeografik Ushtarak, drejtori i Drejtorisë Juridike të ministrisë së Mbrojtjes, emri i cilit nuk i kujtohet, i ka dhënë një kopje të hartës me koordinata të përgatitura nga kompania angleze “Med Oil plc”.Këto koordinata ishin me një projeksion të cilin deklaruesja nuk i njihte, ndaj dhe nuk arriti ti hidhte në hartat që kishin, për të përcaktuar se ku binin.

“Na thirën në dy mbledhje kufiri ishte përcaktuar”
Shtetasi me inicialet A.C ka deklaruar në prokurorinë e Tiranës se mban detyrën e Hartografit pranë Institutit Gjerografik të Ushtrisë. Ai ka sqaruar se rreth muajit janar të vitit 2009 me urdhërin e drejtoreshës së institutit së bashku me kolegun F.B,kanë shkuar në dy takime që janë zhvilluar në ministrinë e Jashtme në lidhje me përgatitjen e marrëveshjes së mësipërmeKëto dy takime ishin të fundit që u bënë për përgatitjen e marëveshjes. Deklaruesit nuk iu kërkua asnjëherë të jepte mendim apo të përpilonte ndonjë relacion. Në lidhje me standardet për kufirin detar që përdori shteti Shqiptar dhe ai Grek, nuk ka dijeni pasi ishin përcaktuar më parë. Ndërkohë F.B i cili në periudhën 2008-2010 ka mbajtur pozicionin e punës shef I sektorit të fotogrametrisë në institutin gjeografik të ushtrisë, ka dhënë deklarime në përputhje me ato të deklaruesit A.C.

Ankesa e Myslym Pashait
Shtetësja S.J ka mbajtur përpara vitin 2010 detyrën e drejtoreshës së inspektimit të përgjithshëm në ministrinë e Mbrojtjes. Kjo shtetase ka sqaruar se nuk ka qënë ndonjëherë pjesë e grupit të punës për përgatitjen e marrëveshjes. Ajo deklaron se si drejtore e inspektimit të përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes ka sqaruar se nuk ka qënë ndonjëherë pjesë e grupit të punës për përgatitjen e marrëveshjes përshkruar si më sipër. Ajo ka deklaruar se si drejtore e inspektimit të përgjithshëm në vitin 2009 merrej edhe me kërkesë-ankesat.Në këtë periudhë Myslym Pasha i ka drejtuar një letër ministrit të mbrojtjes në atë kohë Gazmend Oketa, ku e bënte me dije për rezerva që kishte në lidhje me këtë marrëveshje e cila ishte në proces të diskutimeve.

Ministri i mbrojtjes dha porosinë që ti dërgohet letra për shqyrtim Komandantit të Forcave Detare Kristaq Gërveni, i cili solli sqarimet me shkrim për këtë problem.Në emër të ministrit të mbrojtjes dhe me porosi të tij mbi bazën e përgjigjes të dhënë nga komandanti i Forcës Detare i është kthyer përgjigje Myslym Pashës, që çështja që ai ngrinte ishte akoma në process dhe si specialist i fushës ai ftohej në emër të Ministrit të Mbrojtjes për të dhënë mendimet dhe kontributin për këtë çështje.R.T., i cili ka punuar në Ministrinë e Mbrojtjes nga viti 2002 deri në vitin 2013 dhe për periudhën 2008 e në vazhdim ka qenë i komanduar drejtor juridik. Ky shtetas sqaron se nuk ka qenë ndonjëherë pjesë e grupit për përgatitjen e marrëveshjes objekt hetimi.

(d.b/Shqiptarja.com)