Marrëveshja e re e arritur në Bruksel lejon kontrollet e përkohshme në kufi, në zonën e lëvizjes së lirë të Shengen-it. Gjithashtu sipas marrëveshjes do të ketë edhe inspektime në rrethana të jashtëzakonshme ku sipas legjislacionit aktual, diçka e tillë është e ndaluar.

Zona e Shengenit përfshin territoret e 22 vendeve evropiane që kanë zbatuar Marrëveshjen Shengen, e nënshkruar në qytetin e Shengenit, Luksemburg, në vitin 1985. Shengen lejon qytetarët e BE të lëvizin lirisht, pa kontrolle të pasaportave midis 22 shtete që e nënshkruan atë. 

Marrëveshja e fundit, e negociuar midis Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe qeverive, do ti duhet të marrë edhe miratimin e qeverive anëtare të BE-së. Ky vendimit sipas Komisionit Europian do të parandalojë lëvizjen e paligjshme të emigrantëve dhe do të rrisë sigurinë mes pikave kufitare të zonës Shengen. 

Ky vendim erdhi për shkak se në 2011 një fluks emigrantësh nga Afrika shkaktoi tensione mes Francës dhe Italisë duke e detyruar Francën që të ndalojë të gjithë emigrantët që mbërrinin me tren nga Italia.

Ndërkohë “Fronteks”, agjencia Evropiane për Mbrojtjen e Kufijve do të vëzhgojë zbatimin e rregullave të reja.

(l.ç/v.gj/shqiptarja.com)