Kryeministri Edi Rama ka uruar Erdogan për rolin e tij vendimtar lidhur me zgjatjen me dy muaj të marrëveshjes së drithit nga Ukraina. Rama shkruan se sigurimi i një furnizimi pa ndërprerje të drithërave në tregje botërore është me rëndësi kritike për të garantuar siguri ushqimore në mbarë botën.

“E mirëpres rinovimin e Iniciativës së grurit të Detit të Zi edhe për dy muaj të tjerë. Unë përsëris urimet e mia për @RTerdogan për rolin e tij vendimtar. Sigurimi i një furnizimi të pandërprerë jetik të drithërave në tregjet botërore është me rëndësi kritike për sigurimin e sigurisë ushqimore në mbarë botën.”- shkroi Rama.

Presidenti i Turqisë, Erdogan, bëri dje me dije se nisma për drithërat në Detin e Zi është zgjatur me dy muaj të tjerë. Ai u shpreh se marrëveshja u zgjat edhe dy muaj falë përpjekjes së Turqisë dhe me kontributin e ukrainasve. Kjo u arrit 2 ditë para se të skadonte marrëveshja.

Turqia arriti të negocionte në mënyrë që Rusia të mos bllokonte largimin e anijeve nga dy porte ukrainase. Për këtë, Erdogan tha se shpreson që marrëveshja të sjellë përfitim për të dyja palët.