Marrëveshja që pritet që të firmoset mes Shqipërisë dhe Greqisë për problemet e vjetra mes dy vendeve ka qenë në fokus kryesor në të dyja anët e kufirit në muajt e fundit. E ndërsa në fillim të muajit qershor nga ministri i Jashtëm grek Kotzias u paralajmërua se në fillim të korrikut do të firmoset marrëveshja, mediat në Athinë dje shkruanin se do të shtyhet për shkak të presionit të opozitës greke ndaj qeverisë. Në kuadër të negociatave janë takuar disa herë në Greqi, por edhe në Shqipëri dy ministrat e Jashtëm Bushati dhe Kotzias.
Por mediat greke njoftojnë se Rama dhe kryeministri grek Tsipras do të takohen ditën e martë në Londër në kuadër të procesit të Berlinit, ku do të marrin pjesë vende të Ballkanit Perëndimor dhe vendet kryesore evropiane. Referuar mediave greke, në qendër të takimit Rama-Tsipras pritet që të jetë finalizimi i marrëveshjes për kufirin detar. Gjithmonë, sipas mediave greke, qeveria e koalicionit Syriza dhe Grekët e Pavarur kanë pasur përplasje të ashpra ndaj Marrëveshjes së Prespës dhe Tsipras duket se nuk është gati për një tjetër marrëveshje për momentin, pasi edhe reagimet do të ishin më të mëdha.
Faksimile e lajmit ne mediat greke per takimin