TIRANE - Ministri i Financave Shkëlqim Cani sqaroi këtë të martë gjatë një konference për shtyp përfitimet që do të sjellë në ekonominë shqiptare marrja e eurobondit me vlerë 450 milionë euro. Sipas Canit, eurobondi do të lehtësojë borxhin publik si dhe do të kursejë para për ekonominë shqiptare.

"Eurobondi është pjesë e një strategjie që synon lehtësimin e borxhit publik. Shqipëria arriti të marrë 450 mln euro me një normë interesi prej 5.75 për qind. E mira e këtij eurobondi është që po marrim një hua 5-vjeçare dhe po heqim dorë nga tregu i brendshëm i cili në pjesën më të madhe na jep hua me afate disa mujore ose disa vjeçare. Pra zëvendësojmë një pjesë të borxhit afatshkurtër me një pjesë të borxhit afatgjatë. Ministria bën detyrën e vet që të gjej likuiditetin e mjaftueshëm me leverdi sa më të madhe afate sa më të gjata. Me eurobondin, i kemi bërë të mirën e duhur ekonomisë shqiptare, financave publike edhe të gjithë shqiptarëve sepse nga vetë analiza e eurobondit del që kursehen para për ekonominë shqiptare,” tha Cani.

Ndërsa sa i përket aspektit se për çfarë do të të përdoren këto para, Cani iu përgjigj shkurt duke thënë se do të përdoren për shpenzime kapitale apo operative.
“150 mln euro do përdoren për deficitin e buxhetit. Të jemi të sinqertë kjo është si të pyesësh për se do përdoret rroga e babait dhe mamasë. Për të mbuluar shpenzimet, ato futen në trastën e muajit do përdoren për shpenzime kapitale apo operative”.

Në lidhje me buxhetin e vitit 2015, ministri Cani deklaroi se edhe këtë vit Ekonomia shqiptare ka dalë me defiçit, ndërsa paralajmëron se Shqipëria do të dalë me defiçit deri në vitin 2020.

“Pavarësisht nga sa thuhet ka 24 vite rresht, pa përjashtur as një vit që Shqipëria kur bën buxhetin e vitit të rradhës del me defiçit. Ashtu siç do jetë edhe buxheti i vitit 2015 dhe 2016. Në 25 vite ne do dalim me deficit. Kjo dmth që të ardhurat që realizojmë nuk mbulojnë shpenzimet. Në atë familje ku të ardhurat nuk i realizojnë dot madhësinë për të mbushur nevojat e shërbimeve, do marrësh borxh. Nuk është se ne nuk po marrim borxh. Ne nuk kemi arrit në asnjë vit të dalim mesufiçit. Kjo ndodh në shumë vende, edhe të zhvilluara. Për të qenë korrekt, ne po shpjegojmë eurobondin. Duke e pranuar që ne nga viti në vit ne do marrim borxh deri në 2020 do dalim me deficit. Rëndësi ka që niveli i rritjes ekonomike të jetë më i lartë se sa niveli i borxhit që marrim. Në këtë rast duket ekonomia në ecje. Më mirë akoma është të dalësh me sufiçit. Shqipëria as ka qenë dhe as do jetë në këtë gjendje,” u shpreh ministri.

Qeveria siguroi 450 milionë euro borxh me afat 5-vjeçar nga emetimi i Eurobondit në tregjet ndërkombëtare dhe me interes 5.75 përqind. 


Redaksia Online
(Shqiptarja.com)