26 organizata mjedisore kombëtare dhe lokale i kanë drejtuar një letër të hapur qeverisë duke shprehur shqetësimin për ndërhyrjet në shtratin dhe brigjet e lumit Shkumbin për ndërtimin e rrugës kombëtare Elbasan-Librazhd-Bushtricë, pjesë e Korridorit VIII.
“Ne, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet lokale nënshkruese, të angazhuara në mbrojtjen e mjedisit dhe interesit publik, paraqesim këtë letër të hapur për të kërkuar marrjen e masave urgjente institucionale, verifikim të ligjshmërisë dhe masa konkrete lidhur me ndërhyrjet e konstatuara në Lumin Shkumbin dhe brigjet e tij, veçanërisht në kontekstin e punimeve për ndërtimin e rrugës nacionale Elbasan– Librazhd–Bushtricë, si pjesë e Koridorit VIII”, shkruhet në letër.
Letra i drejtohet kryeministrit Rama, ministrit të mjedisit Sofjan Jaupaj dhe institucioneve përgjegjëse për menaxhimin e burimeve ujore dhe monitorimin mjedisor ku kërkohet ndërhyrje në terren përmes inspektimit, verifikimit dhe monitorimit të veprimeve të kryera.
Sipas organizatave, janë evidentuar raste kur subjektet kontraktore:
1. Shfrytëzojnë materiale inerte nga shtrati dhe/ose brigjet e Lumit Shkumbin, duke shkaktuar ndryshime të drejtpërdrejta në morfologjinë e lumit;
2. Depozitojnë dhera, gurë dhe materiale të përftuara nga gërmimet (p.sh. nga skarpatat dhe punimet rrugore) në shtratin e lumit.
Kërkesat konkrete janë:
-Inspektim urgjent në terren nga institucionet kompetente dhe publikim i një raporti
zyrtar me gjetje dhe masa konkrete;
-Verifikim i përputhshmërisë së ndërhyrjeve me lejet për përdorim të burimit ujor dhe
kushtet e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis;
-Monitorim i cilësisë së ujit dhe i sedimenteve në segmentet e prekura;
-Hartim dhe zbatim i një plani rehabilitimi për zonat e dëmtuara;
-Transparencë e plotë mbi dokumentacionin, vendimet dhe kushtet e lejeve të dhëna
-Pjesëmarrje publike dhe mekanizëm monitorimi.
Organizatat kanë evidentuar ndryshime në morfologjinë e lumit, nxjerrje të materialeve inerte nga shtrati dhe brigjet, si dhe depozitime të materialeve të gërmimit në afërsi ose brenda trupit ujor.
“Duket qartë që lumi ka pësuar një ulje të shtratit më shumë se 1 metër dhe si rezultat është bërë më i rrëmbyeshëm, shumë toka kanë pësuar rëshqitje masive deri në një rrezik të mundshëm të rrëshqitje masive të fshatrave”, shkruajnë shoqatat.
Sipas tyre, këto ndërhyrje mund të ndikojnë në cilësinë e ujit, biodiversitetin, stabilitetin e brigjeve dhe ekuilibrin natyror të ekosistemit lumor.
“Për ne, kjo është një katastrofë e mirëfilltë mjedisore me një ndikim i drejtpërdrejtë mbi biodiversitetin dhe ekosistemin natyror dhe për më tej me një impakt thelbësor për komunitetet lokale dhe aktivitetet e tyre, dhe më gjerë, e si rrjedhojë totalisht e papranueshme”, thekson letra.
Ngjarja e fundit e rrëshqitjes së dheut në rrugën Librazhd-Elbasan që ka sjellë edhe ndërprerje të qarkullimit, është shqetësim i fortë për ndryshimet e lartpërmendura.
“Kjo ngjarje e fundit përforcon shqetësimin tonë të ngritur më parë lidhur me ndërhyrjet në shtratin dhe brigjet e Lumit Shkumbin, të cilat kanë ndryshuar morfologjinë natyrore të tij, kanë ulur shtratin dhe kanë rritur dinamikën e rrjedhës, duke destabilizuar brigjet dhe tokat përreth”, thotë letra.
Lista e organizatave nënshkruese:
1. Shoqata AlbNatyra
2. Qendra NORMA
3. Reinforce Sustainability (RESU Albania)
4. GO2Albania_Organizatë për Planifikim të Qëndrueshëm Urban
5. Qendra LUMI – Lëvizja për Ujërat, Mjedisin dhe Integrimin
6. Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA)
7. Rrjedha
8. Qendra Balancë
9. Qendra për Mbrojtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri (EcoAlbania)
10. Unë Gruaja
11. Instituti për Natyrën dhe Konservimin në Shqipëri (INCA Albania)
12. ILIRIA-Protection and Social & Environmental Development Association (PSEDA-ILIRIA)
13. Eko mjedisi Durrës
14. AGRIEN_SHOQATA E BASHKUAR AGRO-MJEDISORE
15. Qendra Burimore e Mjedisit ne Shqipri (REC Albania)
16. All-Green Centre
17. Milieukontakt Albania
18. Shoqata Ornitologjike e Shqiperise (AOS)
19. Rrjeti për Raportimin e K.O.K.Sh
20. Shoqata Ekspertet e Rinj Mjedisor -SHERM Albania
21. Shtëpia e Gjelbër
22. Instituti per Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit
23. Destination Management Organization
24. Korça Alpin
25. North Green Association
26. Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente











