Devoll-Pas ngjarjes së ndodhur në Devoll, ku Alti Nallbati, vëllai i deputetit demokrat Bledion Nallbati, dhe dy të tjerët që morën peng Ilir Topçiun dhe e dhunuan fizikisht, kryepolici Ilir Proda ka shkarkuar nga detyra Drejtorin e Policisë së Korçës, Erion Ahmeti si dhe ka pezulluar zv.drejtorin për Hetimin e Krimit Hajri Kushe.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, ky shkarkim vjen pasi, Ahmeti nuk ka përmbushur detyrimet ligjore dhe nuk ka menaxhuar siç duhet situatën lidhur me ngjarjen.

Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Prodës ka nisur hetimin disiplinor për gjithë zinxhirin drejtues të Policisë së Korçës për mos-përmbushje të detyrave të cilat kanë sjellë pasoja të rënda.

Po me urdhër të kryepolicit, deri në përfundim të konkursit për Drejtor Policie është caktuar përkohësisht në detyrë Islor Islami, i cili deri sot mbante detyrën e drejtori për Kufirin dhe Migracionin Kukës.

Njoftimi i Policisë së Shtetit: 

Duke marrë shkas nga ngjarja e fundit e ndodhur në Devoll, ku një 32-vjeçar u mor me forcë nga banesa, për motive të dobëta, u mbajt për disa orë, si dhe ndaj tij u ushtrua dhunë fizike dhe u kanos për jetën, dhe pas një analize të kryer në lidhje me veprimet dhe menaxhimin e situatës, rezultoi se zinxhiri drejtues i DVP Korçë nuk ka përmbushur detyrimet ligjore dhe nuk ka menaxhuar siç duhet situatën, duke sjellë pasoja në imazhin e Policisë në komunitet.

Për sa më sipër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka vendosur: Shkarkimin nga detyra të Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Drejtues Erion Ahmeti;

Pezullimin nga detyra të Zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimit në DVP Korçë, Drejtues Hajri Kushe, deri në përfundimin e hetimit disiplinor.

Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm, bazuar në nenin 121 të Ligjit për Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për gjithë zinxhirin drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Komisariatit të Policisë Devoll, për mospërmbushje të detyrave të cilat  kanë sjellë pasoja të rënda.

Po me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, deri në përfundim të konkursit për Drejtor Vendor, është caktuar përkohësisht në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Drejtues Islor Islami, i cili deri sot mbante detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Kukës.

Më 27 tetor, Alti Nallbati, vëllai i deputetit demokrat Bledion Nallbati, dhe dy të tjerët që morën peng Ilir Topçiun dhe e dhunuan fizikisht në Devoll, ndërsa janë arrestuar nga Policia për këtë ngjarje. Dy të arrestuarit e tjerë janë Marsel Buçi, 37-vjeç, dhe Trajan Çeliku, 38 vjeç. Policia thotë se të tre e kanë marrë me forcë 32-vjeçarin nga banesa pasi ndodhej në arrest shtëpiak, dhe më pas e kanë çuar në një biznes privat, ku e kanë mbajtur për disa orë ku edhe e kanë keqtrajtuar. Shkak janë bërë konfliktet për prishje pazaresh për aktivitete të paligjshme, dyshohet kontrabandë.

 Alti Nallbati ishte protagonist edhe në sherrin e të vëllait deputet pak ditë para zgjedhjeve të 11 majit. Dy vëllezërit më 3 maj u konfliktuan në Bilisht me një shofer kamioni, të cilin e dhunuan. Deputeti pretendoi se sulmi ishte politik, edhe pse në pamje shihej teksa, edhe në prezencë të policisë, ngjitet në shkallën e kamionit për të goditur shoferin.