Brenda pak javësh, Shqipëria dhe Italia pritet të firmosin marrëveshjen e parë të bashkëpunimit mes Institutit të Shëndetit Publik dhe Istituto Superiore di Sanità (ISS). Ky hap konsiderohet strategjik për forcimin e sistemeve të shëndetit publik dhe bashkëpunimit shkencor mes dy vendeve.

Detajet u diskutuan në takimin e sotëm në Romë mes ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, dhe presidentit të ISS, Prof. Roço Bellantone. Fokusi i takimit ishte i qartë: forcimi i kapaciteteve laboratorike, survejanca e sëmundjeve infektive dhe e rezistencës antimikrobiale (AMR), shëndeti mjedisor dhe monitorimi i sëmundjeve jo të transmetueshme.

Një prioritet i veçantë ishte qasja “One Health” për adresimin e rezistencës antimikrobiale, përmirësimi i sistemeve të monitorimit për sëmundjet kronike dhe faktorët mjedisorë, si dhe investimi në programe të strukturuara trajnimi për profesionistët e rinj të shëndetit publik.

Në kuadër të vizitës, ministrja Sala mori pjesë si eksperte në një event të dedikuar inteligjencës artificiale, ku ishte i pranishëm edhe ministri i Shëndetësisë së Italisë, Orazio Schillaci, së bashku me profesionistë dhe akademikë italianë.

Në fjalën e saj, Sala theksoi se inteligjenca artificiale multimodale mundëson integrimin e të dhënave të imazherisë me informacionin klinik dhe gjenomik, duke hapur perspektiva të reja për diagnostikim më të saktë dhe vendimmarrje të bazuar në të dhëna.

Ajo u ndal edhe te modeli shqiptar për përdorimin e inteligjencës artificiale në shëndetësi, duke theksuar se po punohet për ndërlidhjen e sistemeve elektronike shëndetësore, për të kaluar nga kujdesi i personalizuar drejt politikave dhe ndërhyrjeve në nivel popullate.

Ministrja ftoi homologun italian për një vizitë zyrtare në Shqipëri dhe rikonfirmoi angazhimin për zbatimin e marrëveshjeve të dala nga mbledhja e parë e përbashkët mes qeverive të dy vendeve.

Dy ministrat u fokusuan veçanërisht në rezultatet e para të bashkëpunimit në fushën e onkologjisë, si Instituti i Tumoreve dhe Rrjeti Kombëtar i Tumoreve, që konsiderohen modele konkrete të partneritetit mes Shqipërisë dhe Italisë.