Marsela Çibukaj: “Muzikën e
shoh si prioritetin tim”

Marsela Çibukaj: “Muzikën e <br />shoh si prioritetin tim”
E konsideruar nga trajneri i saj Elton Deda si këngëtare e cila mund të realizojë çdo lloj materiali muzikor, Marsela Çibukaj rrëfen për suplementin Thashethem rrugëtimin e saj në “ The Voice of Albania”. Cili ishte sekreti që ajo u kthye në një nga personazhet më të dashur për publikun? E konsideruar si Adele shqiptare, Marsela tregon planet për të ardhmen si dhe shprehet mjaft e lumtur që publiku e ka etiketuar si “fituesen morale të edicionit”. Vajza e ardhur nga Italia dhe e renditur e dyta në “ The Voice of Albania” tregon se muzika është e vetmja gjë më të cilën ajo nuk do të mërzitej asnjëherë në jetë.

Cila ishte shtysa e nisjes së rrugëtimit tuaj në “ The voice of Albania” ?

Ëndrra ime ishte të tregoja vokalin tim tek publiku shqiptar, kjo ishte shtysa ime më e madhe , si dhe të realizoja abumin tim të parë me një shtëpi diskografike të madhe si është dhe Universal.

Sikur t’iu kërkoja të bënit një krahasim me ndjesitë e fillimit dhe ato të fundit, çfarë do më thonit?

Po i njëjti emocion që kisha ne blind audition ishte prezent edhe në natën finale. Asgjë nuk ka ndryshuar tek unë. Kam po të njëjtin pasion, dhe të njëjtën ëndërr si dhe me të njëjtën shpresë për t’u formuar si këngetare.

Vazhdoni t’a ndjeni njëlloj përkrahjen e publikut edhe pse “The voice of Albania” ka një javë që ka përfunduar?

Po, vazhdoj t’a ndjej konsiderueshëm përkrahjen nga publiku, si në rrjetet sociale por edhe duke i takuar personalisht ata. Shumë prej tyre më thonë që pavarësisht nga finalja e “The Voice” unë jam fituesja morale e këtij programi dhe ata shpresojnë të më shohin prezente në skenë edhe në të ardhmen .

Miqësitë e fituara në “The voice of Albania” do të vazhdojnë të tilla edhe pas tij? Po përsa i përket “armiqësive”?

Jam shumë e lumtur që pas kësaj eksperience nuk kam patur asnjë armiqësi brenda në “The Voice of Albania”, por vetëm miqësi, të cilat u forcuan edhe më shumë pas këtij udhëtimi. Kjo më lë të kuptoj që përtej konkurimit, personaliteti im u pëlqye për sinqeritetin dhe thjeshtësinë që më karakterizon.

Cilët janë personat me të cilët jeni afruar më shumë ?

Sigurisht që janë të shumtë si brenda skuadrës së Eltonit ku unë bëja pjesë ashtu edhe në skuadrat e tjera. Por mund të them që mbaj ende kontakte me Melisën , Yllin , Lusjanin , Bukrën , Gledin , Drilonin , Gjergjin , Klodjanin etj

Cili ishte për ju rivali kryesor i “The Voice”?

Ky format kishte me të vërtet shumë talente, dhe unë ndihesha e privilegjuar që pata mundësinë të konkuroja mes tyre.Për mua Enrika ishte një konkurente shumë e fortë . Megjithatë të katër finalistët ishim shumë të fortë .

Në bazë të konfuzionit që vazhdon të jetë në rrjetet sociale në lidhje me vendimin final, cili është mendimi juaj për këtë të fundit?

Mendoj që të katërt ishim shumë të aftë, secili me stilin dhe veçantinë e tij . Është mëse normale që secili prej nesh dëshironte fitoren e çmimit final, ashtu si edhe unë. Por pavarësisht fitores materiale mund të them që gjithsesi jam e lumtur pasi kam fituar dashurinë dhe përkrahjen e shumë shqiptarve, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, në Maqedoni dhe të shqiptarëve që ndodhen të mërguar jashtë vendit .

Çfarë përfaqëson për ju muzika ?

Është pasioni im më i madh. Muzika është prezente në çdo gjë që unë kam dhe në çdo gjë që unë bëj në jetë. Ajo influencon mënyrën time të jetesës, mentalitetin tim me pak fjalë është jeta ime, ajo që nuk lodhem kurrë së e paturi në jetë.

Çfarë ndryshimesh ka pësuar jeta juaj pas daljes në Voice ?

Padyshim që ka ndryshuar raporti me njerëzit pasi tashmë më njohin më shumë, ka ndryshuar raporti im me muzikën sepse nga “The Voice” përfitova një rritje dhe një pjekuri më të lartë përsa i përket formimit tim profesional.

Është e vërtetë që jeni afër realizimit të një albumi ?

Po, kjo është ëndrra ime dhe unë do të mundohem t’a realizoj atë sa më shpejt. Gjithashtu shpresoj edhe në bashkëpunimin me muzikantët shqiptar që pata mundësinë të njohë gjatë kësaj eksperience.

Keni patur oferta pune? Gjatë apo pas konkursit?

Po kam patur oferta pune , veçanërisht përsa i përket shfaqeve live këtu në Tiranë. Po i marr në konsideratë të gjitha ofertat dhe me siguri do më shihni së shpejti në Tiranë dhe në qytetet e tjera duke performuar live.

Do të vazhdoj kënga të jetë në planet tuaja apo do t’i përkushtoheni karrierës juridike, për të cilën jeni ende duke studiuar?

Për momentin jam shumë e lidhur me muzikën dhe do mundohem të përfitoj nga ky çast për të realizuar ëndrrat e mia në lidhje me muzikën. Përsa i përket studimeve do t’i shtyj pak për të përjetuar më shumë këto momente.

Ku do t’a gjejmë Marselën pas Voice, në Shqipëri apo do të riktheni në Itali?

Marselën do t’a gjeni në Shqipëri, pasi vendosa të qëndroj këtu edhe për disa muaj ku shpresoj të marr pjesë në Top Fest , si dhe të dal sa më shpejt me këngët e mia. Gjithashtu dëshiroj të ruaj kontaktin me publikun shqiptar që më ka përkrahur dhe vazhdon të më përkrahë edhe pas “The Voice”.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Caktimi i datës së zgjedhjeve në Kosovë, Kurti nuk i shkon në takim Vjosa Osmanit! Presidentja: Mund ta pyesni atë, supozoj se është në zyrë

Caktimi i datës së zgjedhjeve në Kosovë, Kurti nuk i shkon në takim Vjosa Osmanit! Presidentja: Mund ta pyesni atë, supozoj se është në zyrë