Me hyrjen e muajit mars rikthehen emocionet për të gjithë shqiptarët e apasionuar pas futbollit. Një muaj që sjell jo vetëm kuqezinjtë dhe kuqezezat në fushë për vitin 2026, por edhe objektiva të mëdha dhe sfida historike për të gjitha ekipet tona kombëtare.

Për herë të parë në histori, Kombëtarja A e meshkujve do të luajë në fazën play-off të një Kampionati Botëror, duke shënuar një moment kulmor për futbollin shqiptar. Përballë do të jetë Polonia, një kundërshtar me traditë dhe eksperiencë, në një sfidë që do të zhvillohet në Varshavë më 26 mars, ora 20:45. Në rast suksesi, Shqipëria do të luajë më 31 mars, ora 20:45, kundër fituesit të çiftit Ukrainë- Suedi.

Edhe Kombëtarja U-21 nis një mision të veçantë ndërkombëtar në Antalia të Turqisë. Skuadra e drejtuar nga Alban Bushi do të përballet në një miqësore speciale me përfaqësuesen e Japonisë më 27 mars, ndërsa tre ditë më vonë do të luajë një tjetër sfidë prestigjioze ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Muaji mars sjell edhe nisjen e një tjetër rrugëtimi për Kombëtaren U-19, që starton fushatën kualifikuese për Europianin 2027. Nën drejtimin e Fatjon Tafajt, kuqezinjtë do të luajnë ndeshjet e grupit B4 në “Shtëpinë e Futbollit”. Më 25 mars do të përballen me Luksemburgun, më 28 mars me Maltën dhe më 31 mars me Norvegjinë, të treja sfidat në orën 15:00.

Në fushë do të zbresë edhe Kombëtarja U-17 për djem, ku trajneri Armand Dama do të debutojë në pankinë në dy ndeshje miqësore ndaj Letonisë, më 26 dhe 28 mars, në stadiumin e Vorës.

Paralelisht, Kombëtarja e vajzave ka nisur përgatitjet për kualifikueset e Botërorit 2027. Skuadra e drejtuar nga Armir Grima do të luajë më 3 mars në transfertë ndaj Malit të Zi në Nikshiq, ora 14:00, ndërsa më 7 mars, ora 18:00, do të presë Çekinë në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.

Ndërkohë, Kombëtarja U-17 për vajza do të zbresë në fushë më 4 mars në “Shtëpinë e Futbollit”, ora 14:00, përballë Izraelit, në një tjetër sfidë të rëndësishme të kalendarit ndërkombëtar. 

Kombëtarja A

Poloni - Shqipëri, 26 mars, ora 20:45, 'PGE Narodoëy'

Kombëtarja U-21 

Japoni - Shqipëri, 27 mars, ora 12:00, Antalia

SHBA - Shqipëri, 30 mars, 15:00, Antalia

Kombëtarja U-19

Raundi i parë i kualifikueseve të Europianit 2027

Luksemburg - Shqipëri, 25 mars, ora 15:00, “Shtëpia e Futbollit”

Shqipëri - Malta, 28 mars, ora 15:00, “Shtëpia e Futbollit”

Shqipëri - Norvegji, 31 mars, ora 15:00, “Shtëpia e Futbollit”

Kombëtarja U-17

Shqipëri - Letoni, 26 mars, ora 11:30, Vorë

Shqipëri - Letoni, 28 mars, ora 10:00, Vorë

Kombëtarja A - Vajza

Mal i zi - Shqipëri, 3 mars, ora 14:00, Nikshiq

Shqipëri - Çeki, 7 mars, ora 18:00, “Loro Boriçi”

Kombëtarja U-17, Vajza

Raundi i dytë i kualifikueseve të Europianit 2026

Shqipëri - Izrael, 4 mars, ora 14:00, “Shtëpia e Futbollit”

Agjenda e kombëtareve të Shqipërisë, për çdo grupmoshë