Marsi, muaji i “alarmeve për bombë” 
çdo ditë një alarm fals në qytete

Marsi, muaji i “alarmeve për bombë” <br />çdo ditë një alarm fals në qytete
Togfjalëshi “alarm për bombë” nuk ka munguar edhe këtë të mërkurë në kryeqytet. Tashmë po kthehet në traditë, që në një ditë të zakonshme pune, redaksia të njoftohet për një alarm për bombë. Ishte ora 09.40, ku në afërsi të shkollës “ Musine Kokalari” në Kombinat u gjet një pako e dyshimtë, sipër të cilës ishte i vendosur një celular. Kaq ka mjaftuar që forcat e policisë, pa dyshim edhe mediat të mbërrijnë në vendngjarje, të “bindur” se edhe ky alarm do të ishte fals. Dhe intuita nuk i ka gënjyer. Alarmi ishte fals. 

Por pak minuta pas alarmit të parë, sërish policia u sinjalizua për një alarm të dytë pranë gjimnazit “ Petro Nini Luarasi” në Tiranë. Në murin rrethues të shkollës, policia gjeti një çantë, mbi të cilën shkruhej “Bombë Shtetit”.
 
Sipas policisë dyshohet se autori i pusullës së lënë mbi çantën e dyshimtë, është një 15 vjeçar nxënës i kësaj shkolle. Kjo për faktin se brenda në çantë u gjet një numër celulari, i cili dyshohet se i përket nxënësit në fjalë, i cili është shpallur në kërkim nga policia. Fatmirësisht edhe ky alarm rezultoi fals.
 
Por maratona e alarmeve false për bombë është tepër e gjatë. Vetëm në 18 ditët e para të muajit mars, janë regjistruar 6 alarme false për bombë. 

2 ditë më parë, më 16 mars pati një tjetër alarm për bombë, këtë herë në qytetin bregdetar të Durrësit. Një pako e mbështjellë me natriban dhe fije plastike që u gjet në portën e shkollës profesionale “ Hysni Çela” alarmoi policinë pasi mbi të gjendej një celular. Pas ndërhyrjeve të forcave xheniere, alarmi sërish rezultoi fals. 

Më 15 mars, një valixhe e dyshimtë e vendosur pranë Radio-Televizionit Shqiptar alarmoi Policinë e Shtetit. Valixhja e cila pas shpërthimit të telekomanduar rezultoi se kishte vetëm mbeturina brenda, u bë sërish shkak për përhapjen e panikut tek qytetarët.
 
Dhe alarmi vijon… 

Më 14 mars, bie sërish alarmi. Një qese e mbështjellë me natriban u gjet pranë Prokurorisë së Rrethit Tiranë afër një supermarketi në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”. Pas shpërthimit, u mor vesh se pakoja ishte thjesht e mbushur me kartonë. 

Më 7 mars, një çantë sportive e harruar mbi një stol, në parkun “Rinia”, me mbishkrimin “ Mos e Prek”, u bë shkak për alarmimin e policisë dhe qytetarëve mbi një bombë të mundshme. Por edhe këtë herë alarmi ishte fals. Çanta ishte harruar nga një student i Fakultetit Gjeologji- Miniera.
 
Këtë radhë ankthi për shpërthimin e një bombe ishte më i lartë për shkak edhe të mbishkrimit “Mos e Prek”, i cili tërhoqi vëmendjen e qytetarëve në orët e para të mëngjesit. Sërish alarmi ishte fals dhe aspak për t’u shqetësuar.

Nëse bëjmë një përllogaritje të thjeshtë, vetëm brenda 18 ditëve të muajit mars, qytetarët e Tiranës janë alarmuar nga 6 alarme për bombë, të cilët fatmirësisht nuk qenë të vërtetë.
 
Dhe skenari ka qenë i njëjtë pothuajse në të 6 rastet. Çanta të harruara diku, kryesisht pranë gjimnazeve apo hapësirave publike ku edhe numri i qytetarëve në lëvizje është i lartë, apo qese të mbështjella, me mbishkrime provokuese dhe të dyshimta.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Preç Zogaj: ‘Mosmarrëveshja’ si testament i orientimit perëndimor të Shqipërisë

Preç Zogaj: ‘Mosmarrëveshja’ si testament i orientimit perëndimor të Shqipërisë