TIRANE - Më në fund kryetari i ri i PD Lulzim Basha ka marrë një mesazh nga partnerët e tij të djathtë evropianë për zgjedhjen në këtë post. Por prania e kryeministrit hungarez Orban në të parët në listën që kanë uruar Bashën, bën të mendosh se zgjedhja si pasues i Berishës nuk e ka krijuar impaktin e duhur as tek të djathtët evropianë e jo më në Shqipëri.

Kështu, Presidenti i partive Popullore Evropiane, Uilfried Martens dhe Kryeministri i Hungarisë, njëherësh kryetar i FIDESZ, Viktor Orban i kanë dërguar mesazhe urimi, kryetarit të PD Lulzim Basha për zgjedhjen në krye të partisë që humbi thellë zgjedhjet përballë opozitës së majtë. Në mesazhin e tij, Presidenti i Partisë Popullore Evropiane, organizata më e madhe politike në Evropë, me mbi 70 parti-anëtare nga 40 vende, ndër të tjera shkruan: “I dashur Kryetar, Dua t’u përgëzoj për zgjedhjen tuaj në postin e kryetarit të ri të PD. Ju shpreh përgëzimet e mia më të thella dhe suksese në të ardhmen, në pozicionin tuaj të ri. Shpresoj në një bashkëpunim të frytshëm. Ndërsa Orban në mesazhin e tij shkruan:

“I dashur z.Kryetar, Më lejoni t’u shpreh përgëzimet e mia, për zgjedhjen tuaj si Kryetar i PD të Shqipërisë. Në emër të FIDESZ, më lejoni t’ju shpreh dëshirën time të sinqertë, në vazhdimësinë e bashkëpunimit të shkëlqyer mes dy partive tona, të cilat i kemi zhvilluar përgjatë viteve të fundit.Ju uroj shëndet dhe suksese në detyrën tuaj të lartë dhe me përgjegjësi”. Duke paralajmëruar këtë bashkëpunim, Orban më tepër se ndihmë krijon jo pak probleme për Bashën, pasi vetë ai ka marrëdhënie të krisura me vendet e BE.