Sipas Presidentit të Parlamentit Europian, gjatë takimit me Nishanin është diskutuar për reformën në drejtësi dhe garantimin e një sistemi të pavarur.
Schulz e vuri theksin edhe tek dialogu politik mes palëve i cili është i domosdoshëm për reformat me qëllim përshpejtimin e procesit të integrimit.
"Kemi dëgjuar fjalë kurajoze që janë komentuar këtu në Bruksel. Jemi të vetëdijshëm dhe kam vlerësuar në fjalën time se jemi një komb i madh me një zemër të madhe, për mikpritjen që më keni bërë në vizitën time të parë. Unë kur isha në Shqipëri korrikun e shkuar mësova shumë. Është një vend i mrekullueshëm. Arsyeja për t’u rikthyer sërish është për këtë arsye. Një sistem i pavarur drejtësie dhe një Parlament që kryen funksionet e tij, janë disa nga çështjet që diskutuam, por që janë elementë kryesor për të luftuar edhe kundër terrorizimit. Unë mendoj se Shqipëria është në rrugën e duhur duke kontribuar vazhdimisht për të përmirësuar të ardhmen e vendit. E falënderoj Presidentin për bisedën dhe shkëmbimin e përvojave, si dhe fokusin tek rëndësia e reformave. Elementët e luftës kundër terrorizmit, çështja e sigurisë, roli i vendit në marrëdhëniet me rajonin dhe BE. Këto mendoj se janë në rrugë të mirë. Si President keni kontribuar shumë për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe BE-së”, u shpreh Schulz.
Nga ana e tij, Presidenti Bujar Nishani vlerësoi rolin e Martin Schulz në progresin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
"Sot ka qenë një ditë intensive me takime në Bashkimin Europian. Ka qenë kënaqësi që jam pritur në takime të veçanta nga Presidenti i PE, Martin Schulz, një mik i vendit tim, një mik i popullit shqiptar. Është kënaqësi që takoj z.President pas vizitës që zhvilluat në Shqipëri. Gjatë takimit sot pata mundësinë të shpreh edhe njëherë mirënjohjen që presidenti Schulz dhe PE i kanë kushtuar marrëdhënieve me Shqipërinë. Gjithashtu kam shprehur vlerësimin për rezolutën e PE për Shqipërinë në muajin prill, ku vlerësohet progresi i bërë, ku theksohet edhe nevoja për sfidat, në mënyrë që të ecim më përpara drejt BE", u shpreh Nishani.
Sipas tij, integrimi europian është mekanizimi më i mirë për të gjithë vendet dhe kombet në Ballkan, për të rritur pajtueshmërinë dhe besueshmërinë mes tyre.
Ai theksoi se e ka informuar Schulzin për procesin e reformave dhe vëmendjen e tij për reformën e gjyqësorit dhe nevojën për të ruajtur garantimin e të drejtave të njeriut dhe respektimin e çështjes së pronës.
Kriza e refugjatëve ka qenë gjithashtu në qendër të diskutimeve mes presidentit Nishani dhe kreut të PE, Schulz.
Nishani tha se Shqipëria do të jetë pjesë e zgjidhjes së krizës sipas një plani të koordinuar europian, përmes një zgjidhje proporcionale.
"I dhamë një rëndësi të veçantë nevojës për bashkëpunim për të tejkaluar krizën e refugjatëve për të cilën nxora në pah vullnetin dhe gatishmërinë e institucioneve shqiptare për të qenë pjesë e një zgjidhje të koordinuar europiane, një zgjidhje proporcionale", tha Nishani.
Redaksia Online
Shqiptarja.com