Martini: Gjyshi la përgjysmë
një roman të ri historik

Martini: Gjyshi la përgjysmë <br />një roman të ri historik
TIRANE- Sabri Godo kishte në duar një roman të ri historik. Ishte marrë seriozisht me të gjatë gjysmës së parë të këtij vitit. Një dosje e madhe e mbushur plot me dokumente historike i shërbente për referenca e saktësime të shumta datash, ngjarjesh e personazhesh. Familjarët e kanë atë dosje, së bashku me dorëshkrimin e gjysmës së romanit ende në shtëpi. Por shkrimtari i njohur i romaneve historike nuk mundi ta përfundojë këtë vepër. Ai mbylli sytë dje në mesditë në shtëpinë e tij pranë Ministrisë së Jashtme, në bulevardin "Zhan Dark". Pas këtij lajmi familjarët kanë mbledhur dorëshkrimet e tij, fletët, dokumentet dhe gjithçka tjetër që ai kishte në tryezën e punës, e ndërsa e bënin gati shtëpinë për të hapur dyert e mortit, shënimet e Godos, i mbyllën në një kuti, e cila do të hapet ditë më vonë. Por çfarë kishte në tryezën e tij të punës shkrimtari Godo? Nipi i tij, Martini, një prej djemve të vajzës, mjekes Anila Godo, rrëfen se gjyshi i tij po punonte me këtë vepër deri në momentin që mori vesh për sëmundjen e rëndë.
Martin a ka lënë Sabri Godo ndonjë vepër të fundit të pabotuar?
Gjyshi kishte në duar një vepër të re. Kishte kohë që po punonte për të. Kishte mbledhur shumë materiale historike e dokumentacion dhe kishte shkruar një pjesë të mirë të librit në kohën që mësoi se ishte i sëmurë.
Kur e mori vesh për sëmundjen?
Ishte muaji qershor kur mësoi se nga ç'sëmundje vuante. Pas kësaj ai shprehu dëshirën për ta përfunduar këtë libër e për ta publikuar.
E vijoi punën me romanin edhe pas këtij lajmi të hidhur?
Gjatë muajve të verës ai thuajse nuk e preku më këtë dorëshkrim. E la mënjanë. U mor më shumë me lexime. Pas verës gjendja e tij u përkeqësua, dhe ai s'pati mundësi që i rikthehej sërish këtij libri.
Çfarë tematike përmban romani?
Është një roman historik, kaq mund të them. Nuk mund të tregoj asgjë më shumë, qoftë edhe për ngjarjet që zhvillohen aty, pasi gjyshi ishte shumë i rezervuar për të folur rreth librit. Nuk donte që ta lexonte njeri deri në momentin që do ta përfundonte.
Ishte vepër voluminoze? Sa faqe dorëshkrim ka lënë?
Shënime janë shumë. Është një dosje e madhe, e mbushur plot, me dokumente historike që ai i shqyrtonte herë pas herë. Puna finale nuk e di se kur mund të përfundonte. Por kishte shumë kohë që punonte mbi atë libër.
Cili ishte angazhimi i tij, pasi la mënjanë këtë roman?
Ai vërtet u shkëput nga angazhimi që kishte nisur me këtë roman, por nuk i ndërpreu takimet dhe aktivitet e tjera publike e shoqërore. Kjo derisa gjendja e tij shëndetësore nisi të rëndohej. Ai i rralloi takimet dhe daljet në publik dhe muajin e fundit u shkëput tërësisht, dhe iu nënshtrua kujdesit të familjarëve.
Mendoni se i mbeti peng ky roman i papërfunduar?
Nuk mund të them se ishte pengu i tij i fundit. Libri ishte një nga shumë gjërat që ai donte të bënte këto vitet e fundit, një pjesë e të cilave ai i përfundoi dhe i pa të botuara.

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Tiranë, kanosi dhe i kërkoi 200 mijë € ish-deputetit Vladimir Kosta, arrestohet 24 vjeçari

Tiranë, kanosi dhe i kërkoi 200 mijë € ish-deputetit Vladimir Kosta, arrestohet 24 vjeçari