Sulmuesi shqiptar, Marvin Çuni, është zyrtarisht lojtar i Barit. Klubi italian që militon në Serie B ka arritur marrëveshje me Rubin Kazanin për huazimin e 24-vjeçarit, me të drejtë blerjeje në përfundim të sezonit.

Në pjesën e parë të këtij edicioni, Çuni ishte pjesë e Sampdorias po në Serie B, ku në ndeshjet e zhvilluara kontribuoi me një gol dhe një asist. Sulmuesi, i lindur në Gjermani, do të mbajë fanellën me numrin 90 dhe do të vihet menjëherë nën urdhrat e trajnerit Moreno Longo.

Bari ndodhet aktualisht në zonën e fundit të renditjes dhe ky afrimi shihet si një përpjekje për të përforcuar repartin sulmues në luftën për mbijetesë në kategori.

Me eksperiencën e tij të mëparshme në kampionatin italian dhe atë rus, Marvin Çuni pritet të sjellë më shumë alternativa dhe konkurrencë në sulmin e skuadrës, teksa ka luajtur edhe një ndeshje me kombëtaren shqiptare, duke qenë disa herë i grumbulluar nga trajneri Sylvinho.