TIRANE- Të gjithë studentët të cilët nuk kanë arritur të marrin dosjet e tyre nga universitetet private të cilat u mbyllën për shkak të mospërmbushjes së standardeve, do të duhet të presin udhëzimin e ri që po përgatit Ministria e Arsimit. Udhëzimi që po përgatitet përmban, sipas MAS të gjitha procedurat e tërheqjes së dosjeve pranë MAS dhe transferimi e studimeve, si dhe të gjitha modalitetet dhe procedurat për transferimin e studentëve që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e tyre në IAL publike apo private si dhe afatet e reja që do të përcaktohen për fillimin e aplikimeve pranë këtyre institucioneve.
 
Ndërkaq, ministria e Arsimit sqaron se po vijon punën për evidentimin dhe nxjerrjen para përgjegjësisë të të gjithë atyre IAL private të cilët nuk kanë zbatuar urdhrin për të dorëzuar pranë MAS dosjet e studentëve të cilët nuk kanë aplikuar për tërheqjen e dokumentacionit.
 
“Disa IAL private, në kundërshtim të hapur me sa parashikohet në aktet e sipërpërmendura, nuk i kanë dorëzuar dosjet studentëve dhe në një pjesë të mirë të rasteve u kanë kërkuar dhe u kanë marrë pagesë për dhënien e tyre.
 
MAS po shqyrton dhe evidenton të gjitha rastet dhe ankesat e ardhura lidhur me sa më sipër dhe po përgatit denoncimet përkatëse për vënien para ligjit të personave përgjegjës.
 
Lidhur me dosjet e studentëve të dorëzuara në MAS, grupet e punës po punojnë për inventarizimin dhe sistemimin e tyre. Në përfundim të këtij procesi do të bëhet dorëzimi i tyre individëve përkatës, sipas procedurave që do të përcaktohen në Udhëzimin e MAS, i cili do të publikohet së shpejti në faqen zyrtare, www.arsimi.gov.al”, thuhet në njoftimin e MAS.
 
Ministria e Arsimit sqaron se sipas udhëzimit, IAL-të private që iu është hequr licenca, duhej t’u dorëzonin të gjithë studentëve që bënin kërkesë dosjet me dokumentacionin përkatës sipas parashikimit në këto akte e sipërpërmendura, brenda datës 01 shtator 2014, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e studentit.
 
Ndërsa, “dosjet e studentëve të cilët nuk kishin bërë kërkesë në IAL-të përkatëse, IAL-ja duhet t’i dorëzonte në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS) brenda datës 10 shtator 2014. Së bashku me të gjithë bazën dokumentare që IAL-të disponojnë dhe mbi të cilën kanë zhvilluar aktivitetin e tyre që nga momenti i hapjes”.

Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)